PS e PD nuk e gjetën konsensusin as në Parlamentin Europian, çka bëri që mbledhja e 21-të e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit të përfundonte pa një deklaratë të përbashkët. PS e PD i ndanë votat sipas përkatësisë politike, 7 vota pro mazhoranca e 7 kundër opozita. Qëndrimi i opozitës është kritikuar nga ish-deputeti demokrat Edmond Spaho, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan se se PD nxori pretekste për të mos e votuar deklaratën.
Sipas tij, deputetët demokratë e kanë marrë urdhrin nga Sali Berisha dhe votuan kundër në momentin më vendimtar për procesin e integrimit europian të vendit. Më tej, Spaho shkruan se ligjëvënësit opozitarë treguan se PD vlen më shumë se interesat e vendit dhe se “rikthimi” i tyre në pushtet ka më shumë rëndësi se integrimi europian.
“Deklarata e Komitetit të Përbashkët të SA-së, me rekomandimet për integrimin e Shqipërisë në BE, nuk votohet nga deputetët e opozitës, ose më saktë ata të PD-së. Mendoja se fakti që teksti i deklaratës u përgatit nga eurodeputetët në Komitetin e SA-së dhe që asaj iu bashkëngjitën rezoluta e para disa kohëve e PE-së dhe rezoluta e Parlamentit të Shqipërisë për integrimin europian, e votuar nga PD dhe PS, do të ishin të mjaftueshme që të liheshin pas gërvëret e politikës shqiptare dhe deklarata të votohej në unanimitet.
Por jo! Ashtu sikurse ka vepruar gjithmonë, PD nxori pretekste për të mos e votuar tekstin e deklaratës të përgatitur nga eurodeputetët. Në momentin më vendimtar për procesin e integrimit europian të vendit, kolegët e mi të opozitës votojnë kundër. Ndihem shumë i trishtuar për këtë veprim. Nëse do të isha pjesë e atij komiteti, pavarësisht urdhrit të kryetarit të partisë, do të votoja pro, pasi Shqipëria në Europë vlen më shumë se të gjitha partitë politike të marra së bashku.
"E duam Shqipërinë si gjithë Europa" ishte thirrja kur u ngritëm në vitin 1990. Sot ajo është katandisur në "E duam Shqipërinë për vete dhe interesat tona të pështira". Me këtë veprim kolegët e mi treguan brutalisht që për ta PD vlen më shumë se interesat e vendit, që "rikthimi" i tyre në pushtet ka më shumë rëndësi se integrimi europian”, shkruan Spaho.
Duke e quajtur një qëndrim antikombëtar, Spaho thotë se 7 deputetët e opozitës do të mbahen mend si karavidhe partiake dhe sabotatorë të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Nuk është hera e parë që PD mban qëndrime të tilla antikombëtare. Frymëzimin e marrin nga ata që i drejtojnë. Nuk di ndonjë vend që të ketë synuar apo synon integrimin në BE, ku politikanët e opozitës, për interesat e tyre të ngushta, të jenë kaq të papërgjegjshëm me procesin e integrimit në BE.
Habitem me disa politikanë të PD-së që hiqen si proeuropianë, proatlantistë, që flasin nga mëngjesi në darkë për integrimin europian të vendit dhe, kur vjen ora e gjykimit, sillen si Haxhi Qamili dhe Esat Pasha. Janë edhe më të vjetër se kryetari i tyre shekullor.
Një gjë është e sigurt, vota e deputetëve të PD-së në këtë Komitet nuk e pengon aspak integrimin e vendit në BE, sikurse nuk e ka penguar në gjithë këto vite. Por anëtarët e PD-së në Komitetin e Përbashkët të SA-së do të mbahen mend si karavidhe partiake, që nuk lënë rast të paraqiten në publik ata që në të vërtetë janë, pengues dhe sabotatorë të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Prandaj ne të PD-së po zhdukemi çdo ditë e më shumë nga harta politike e vendit, po reduktohemi elektoralisht dhe kemi mbetur opozitë e përjetshme, sepse nuk duam të pranojmë cili është interesi i vërtetë i qytetarëve dhe sa herë na jepet mundësia të tregojmë veten, ngrihemi me paturpësi kundër interesit të vendit”, shkruan Spaho.
Deklarata e përbashkët si rregull pritet të miratohet në përfundim të takimeve periodike mes parlamentarëve shqiptarë dhe atyre të Unionit dhe përmban vlerësimet për ecurinë e anëtarësimit në BE dhe rekomandimet për reformat, por këtu palët ndahen.
PD pretendoi se amendamentet e tyre që synonin intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, heqjen dorë nga mbrojtja politike që u ofrohet zyrtarëve të akuzuar për korrupsion si dhe zbatimin e vendimeve të gjykatave u rrëzuan. Por, PS thotë se miratuan disa prej amendamenteve të opozitës dhe i akuzoi deputetët demokratë se zbatuan urdhrin e Saliut duke votuar kundër Shqipërisë në BE.
Komente








Zoteria ka bere nje analize te drejte, dihet qe plaku mere per interesat e tij ka votu gjithmone kunder shqiperise e shqiptareve,ka shiku gjithmone interesat personale e partiake, dje e nxori koken me shume. Persa I perket ju zoteri nuk besoj se do te dilje kunder plakut mere ma tani qe te lane jashte i thua gjerat si duhet.
Përgjigju