Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se gara për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të vitit 2027 do të jetë mes kreut të Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori dhe Ogerta Manastirliut të PS.
Komentet Spahiu i bëri në një lidhje live për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se kushdo që të jetë kandidati i PD-së në zgjedhjet lokale të 2027 për Tiranën, do të dalë i treti.
Më tej Spahiu tha se ‘Primaret’ që zhvillohen në PD për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashke, jo vetëm që janë të falsifikuara, por sipas tij, e përçajnë edhe më tej këtë forcë politike.
“Ça do Saliu? Saliu me Alimehmetin, me një gurë vret 10 zogj. Vret Florin, vret Ervinin, që i hoqi bashkëpunëtorin më të ngushtë dhe i faturon edhe humbjen e 2027. Arlindi duhet të kuptojë që e ka fushën bosh këtu. Me gjithë atë fushatë para 3 muajsh për Flor Binajn, e eliminuan me një të rënë të lapsit. Dhe e treta, prognoza ime është që kushdo që do të dalë nga ato primare, sepse vetëm primare nuk janë, vetëm do e çajnë atë parti, gara do të jetë mes Arlind Qorit dhe Manastirliut. Unë mendoj se këto zgjedhje do bëjnë histori, do e nxjerrin PD-në të tretën. Unë nuk e di nëse Arlindi fiton apo jo, madje do uroja që të kishte balotazh, sepse nëse do të kishte, jam i sigurt që në balotazh do të shkonte Arlindi me kandidatin socialist”, tha mes të tjerash Spahiu.
Komente











