Sali Berisha vijoi me sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut për pezullimin e kësaj të fundit nga detyra e zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Në konferencën e sotme për mediat, kreu i PD-së mbrojti GJKKO-në duke thënë se vendimi ishte i ligjshëm, por Rama dhe Balluku janë vërsulur drejt Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar.

“Këta bashkëhajdutë shkuan së bashku në Gjykatën Kushtetuese për të përmbysur vendimin e ligjshëm të GJKKO-së dhe po përdorin për këtë qëllim të gjitha mjetet e presionit ndaj kësaj gjykate që u jep edhe pushteti.”, tha Berisha, duke shtuar se Balluku nuk mund të ketë imunitet për pezullim. 

Duke u ndalur te kundërshtimi i masës së tij, Berisha tha se asokohe Kushtetuesja, qeveria dhe parlamenti e mbrojti masën si të drejtë, edhe pse sipas tij vendimi ishte në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Sipas Berishës, ai bëri rekurs ndaj vendimit në respektim të kushtetutës dhe jo si problem personal të tij.

"Pra, si marrja e pasaportës, edhe detyrimi për paraqitje, këto janë kufizime të lirisë. Dhe kur unë protestova, kur unë i kundërshtova, Gjykata Kushtetuese, qeveria, parlamenti mbrojti se ajo është masë e drejtë që buron nga kodi i procedurës penale dhe se deputeti nuk është i mbrojtur. Në atë kohë ua thashë, do kapni kokën me dorë, po le ta kapin, të shkulin kokë, hundë dhe vesh se e meritojnë.", tha Berisha. 

Berisha më pas u ndal në disa raste pezullimi nga gjykatat të ministrave në disa vende të Evropës gjatë kohës që kanë qenë në hetim, duke thëne se Rama gënjeu kur tha se rasti i Ballukut ishte i pari që ndodhte në kontinent. Sipas Berishës, këto masa pezullimi janë vendosur para vendimit përfundimtar të dënimit nga gjykata.

"Ky është një mashtrim banal ordiner sepse në vendet e BE, jo në një, por në një numër rastesh, janë vendosur masat e pezullimit para vendimit përfundimtar të dënimit nga gjykata. Dhe kjo ka ndodhur në Rumani, ka ndodhur në Itali, ka ndodhur në Francë, ka ndodhur në Kroaci, ka ndodhur në Spanjë, ka ndodhur pra në një seri vendesh. Ministrat janë pezulluar gjatë kohës që kanë qenë në hetim.", shtoi kryedemokrati. 

Berisha u pyet nga gazetarët nëse hetimi i SPAK ndaj Ballukut ishte i "nxitur" nga ndërkombëtarët apo thjesht vullnet i Prokurorisë. Sipas tij, duhet që prokuroria të vlerësojë akuzën sepse sipas tij, kanë vepruar si organizatë kriminale. 

"Nuk mund të them se është ndikim ndërkombëtar apo është vendosmëri për të zbatuar ligjin në kushte kur Lubia, Ervisi dhe Edi Rama tregonin gjithçka të mbrapshtë që po bënin me mesazhet e tyre. Dhe në këto raste gjykatësi, prokurori, hetuesi, ose do humbiste çdo fytyrë dhe do i thoshte burgut hapu se, një ditë ato do të hetohen prap, ose do bënte këtë që bëri, zbatoi ligjin dhe e zbatoi me lehtësi. E thashë edhe njëherë, unë insistoj dhe do të vij këtu para jush të ju faktoj se, ata kanë vepruar si organizatë kriminale. Edi Rama, Lubi Balluku dhe ato kryesorët e drejtorisë së rrugëve, do e shoh se çfarë funksionesh kanë, ato në dokumente figurojë organizatë kriminale. Dhe nëqoftëse hetimi, nëqoftëse gjykata do ti kualifikonte, do të nderonte plotësisht ligjin.", shtoi ai. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:43
Balla ‘rrëzon’ Berishën: Europa nuk njeh pezullim nga detyra të ndonjë ministri që ka qenë apo është në hetim

1763544739_taulantballa.jpg

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka rrëzuar pretendimet e kryedemokratit Sali Berisha, i cili gjatë një konference për shtyp të zhvilluar ditën e sotme, tha se Europa njeh disa raste pezullimi nga detyra të ministrave që kanë qenë të akuzuar apo nën hetim për vepra penale, njëlloj si rasti i zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

“Të dëgjosh leksione nga bufi SB mbi vendimet e gjykatave, është njëlloj sikur të dëgjosh shejtanin të të shpjegojë psalmet e Biblës apo suret e Kuranit. Duke i’u referuar qëndrimit të Kryeministrit Rama, se nuk ka asnjë rast në Europë, madje as në botë, ku një ministër të jetë pezulluar nga detyra (nuk flasim për vendim dënimi penal të formës së prerë), bufi i kënetës paska dalë sot me një listë emrash ministrash apo zyrtarësh në disa vende.

Asnjë nga këto raste nuk ka lidhje me rastin që duhet t’i japë zgjidhje Gjykata Kushtetuese në Shqipëri. Ato janë dorëheqje të natyrave dhe konteksteve të caktuara politike, por që nuk lidhen me një vendim pezullimi të ushtrimit të detyrës. Madje, rasti i dorëheqjes së Ëilly Claes nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s është fiks rasti se si çdo procedurë duhet të kalojë përmes Parlamentit. Ëilly Claes dha dorëheqjen vetëm pasi Parlamenti belg kishte dhënë autorizimin për hetimin gjatë kohës që kishte qenë Ministër në qeverinë belge.

Sa për mikun tim Viktor Ponta, ta kam thënë dhe po ta përsëris: sulmi yt i përhershëm ndaj tij lidhet me faktin që ishte Kryeministri më i hapur rumun për njohjen e Kosovës, diçka që ty s’të pëlqen, dihet, si dhëndër i Serbisë që je”,- shkruan Balla.

Ora 14:02
PD ende pa analizë për humbjen e 11 majit, Berisha justifikohet: Raporti i OSBE/ODIHR doli në fund të tetorit, isha me angazhime në Brazil

 

Në konferencën e sotme për mediat, Sali Berisha u pyet edhe për analizën brenda PD-së ër humbjen e thellë që pësoi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kreu i PD-së, më herët, ka argumentuar se vonesa e analizës ka ardhur për shkak se kanë pritur që të dalë raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR. 

Por ndërsa ka kaluar një muaj që nga publikimi i këtij raporti, Berishës iu adresua e njëjta pyetje. Ai u justifikua me angazhimet që ka pasur, duke përmendur vizitën e tij në Brazil. Berisha pretendoi se me denoncimet që kanë bërë kanë arritur që të faktojnë farsën elektorale të 11 majit. 

Më tej, ai tha se "I garantoj anëtarët dhe mbështetësit e PD se ne do të angazhohemi në një proces të fuqishëm ringritje për betejën vendimtare kundër narkoshtetit."

"Absolutisht është deklaruar haptas në mënyrë transparente, se vonesa e analizës, e diskutimit në parti për farsën elektorale dhe grabitjen e zgjedhjeve, ka pasur vetëm një shkak madhor, dhe ky shkak ka qenë pritja e publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR. Pra ka qenë, njëkohësisht përpjekja jonë e jashtëzakonshme që Edi Rama të ndikonte dot në ndryshimin e raportit paraprak fillestar, siç u angazhua ai me të gjithë potencialin e qeverisë dhe propagandës së tij.  Ka qenë paraqitja para publikut shqiptar dhe ju jeni dëshmitar, që nga data 15 maj dhe pas, çdo ditë të fakteve dhe dokumenteve të pakundërshtueshme të cilat rrëzonin, ose faktonin për çdo shqiptar dhe botën, farsën elektorale të 11 majit. 

A ia dolëm ne këtu? Ne ja dolëm plotësisht. Tani, Sali Berisha ka deklaruar me dhjetëra e dhjetëra herë para shqiptarëve, dy gjëra. Së pari, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Së dyti, unë do të mbroj votën. Kam deklaruar do të mbroj votën. PD do të mbrojë votën dhe PD e mbrojti votën. Nuk mbrohet vota me kallashnikov, vota u damkos si farsë. U rreshtuan në komunitetin ndërkombëtar një e nga një, të gjithë ata faktorë antikushtetues, antidemokratik, të gjitha ato ndërhyrje që shkelën në mënyrë flagrante dokumentet ndërkombëtare, për zgjedhjet e lira, parimin e zgjedhjeve të lira. Përdorimin e të gjitha mjeteve të administratës për të grabitur zgjedhjet. 

Unë besoj se kjo është e një rëndësie jetike, sepse një opozitë mund të pretendojë shumë gjëra, por ajo nuk mund të pretendojë të shpallë farsë zgjedhjet normale. Nuk mund të pretendojë të vejë në diskutim legjitimitetin e dalë nga zgjedhjet e drejta dhe të lira. Dhe ndaj përqendrimi ynë total, dhe e them këtu plotësisht i suksesshëm.  Ne ja dolëm me qindra e mijëra dokumente, duke paraqitur para zyrave përkatëse të faktojmë se kjo ishte një farsë. Dhe ky proces siç e dini ju u zgjat jashtë mase dhe raporti doli nga fundi i muajit tetor. 

Së dyti, sapo u ktheva nga Sao Paolo, punimet e asamblesë së përgjithshme të Internacionales Demokrate të Qendrës, në të cilën zgjedhjet në Shqipëri u damkosën siç janë. Terrori dhe dhuna politike ndaj pluralizmit mori ndëshkimin që meritoi. Narkoshteti shqiptar u shpall një rrezik jo vetëm për shqiptarët, por edhe për rajonin dhe Europën. Pra ishin këto angazhime. Por unë garantoj dhe ka filluar debati në bazë, janë krijuar grupet e punës, është formuluar udhëzuesi dhe mbi bazën e tij në të gjithë PD-në do të bëhet një diskutim me synimin më kryesor të një forcimi të kësaj partie për betejën vendimtare kundër narkoregjimit tani.

Kështu që jam plotësisht i vetëdijshëm se demokratët e presin këtë, por tek demokratët shkohet tani me ato që thashë. Zgjedhjet, për fat të mirë u arritur të mos ndryshohet raporti, për të mos thënë tjetrën që qeveria e SHBA-së jo që nuk i dërgoi urim, por nëpërmjet zëdhënësit tha se, ato nuk ishin zgjedhje të lira. Dhe kjo kishte vlerën e vet të veçantë, të madhe.  Kjo është përgjigja dhe i garantoj anëtarët dhe mbështetësit e PD se ne do të angazhohemi në një proces të fuqishëm ringritje për betejën vendimtare kundër narkoshtetit.", tha Berisha.