Partia Demokratike nuk u ndahet akuzave në drejtim të ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, të cilën e akuzon se ka shfrytëzuar helikopterin ushtarak për të shkuar në Dibër për fushatë elektorale.

Sërish sot, në një deklaratë për media, ish-deputetja Albana Vokshi publikoi një video, që sipas saj, jep fakte të reja mbi abuzimin e ministres Xhaçka. Sipas saj "datat e udhëtimit me helikopter përkojnë me mbledhjet e PS dhe koncertet në Dibër, ku ka marrë pjesë”. Këtë herë sipas PD, Xhaçka e ka përdorur helikopterin për të shkuar në një mbledhje partie.

Ndërkaq dje Akuzave të PD-së se ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka udhëtuar 22 herë vetëm në 2 muaj në qarkun e Dibrës, Forca Ajrore i kanë hedhur poshtë duke thënë se Xhaçka në të gjithë vitin ka udhëtuar me helikopter vetëm 4 herë dhe në qarqet Shkodër, Dibër dhe Gjirokastër. 

Deklaratë e PD, nga Albana Vokshi:

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka vazhdon të keqpërdorë pushtetin për të mos dhënë llogari pse ka marrë helikopterin ushtarak për të shkuar në mbledhje partie në Dibër. Ajo është drejtuese politike e Partisë Socialiste për këtë qark dhe pothuajse çdo fundjavë, ka shkuar në takimet partiake me helikopterin ushtarak. Olta Xhaçka është përpjekur të fshehë të vërtetën, pa iu përgjigjur asnjëherë pyetjes shumë të thjeshtë: Përse ka shkuar me helikopter ushtarak në mbledhje partie? Ne kemi publikuar datat, kur drejtuesja politike e Edi Ramës në Dibër ka përdorur helikopterin për të bërë fushattë.

Përmes të tretëve, pa patur kurajo të ballafaqohet me faktet, Olta Xhaçka e ka mohuar këtë shpërdorim flagrant të detyrës dhe abuzimin me paratë publike. Vajtje-ardhjet e saj në Dibër, vetëm për 2 muaj, kushtojnë mbi 100 milionë lekë. Sot, po publikojmë fakte të tjera, që provojnë se Olta Xhaçka udhëtoi në Dibër me helikopter për punët e partisë. Përshembull, në 3 tetor, Olta Xhaçka ka shkuar më Dibër me helikopter. Nuk ka patur asnjë stërvitje ushtarake, asgjë që lidhet me funksionin e saj si Ministre e Mbrojtjes.

Llogaria në facebook e Kryetarit të Partisë Socialiste në Dibër e tregon Olta Xhaçkën më 3 tetor në Asamblenë e zgjeruar të Partisë Socialiste në këtë zonë. Janë edhe shumë raste të tjera. Në 10 tetor, një tjetër ditë, kur Olta Xhaçka ka përdorur helikopterin, është postuar një takim tjetër me strukturat e Partisë Socialiste.

Kështu vazhdohet për çdo udhëtim me helikopter, takim me gratë socialiste, inspektime për tenderat e bashkive, madje helikopteri është përdorur për të shkuar në koncert me këngë e valle të zonës. Me të drejtë, qytetarët janë të revoltuar dhe kanë nisur të shprehin përbuzjen e ture në rrjetet sociale. Abuzimi me detyrën i Ministres së Mbrojtjes është flagrant, pasi ajo merr helikopterin për të shkuar në koncert, ndërsa njerëzit nuk kanë para të mbyllin muajin, blejnë blejnë ilaçe me lekë borxh, heqin fëmijët nga shkolla. Qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë se një qeveri që i tall, i vjedh dhe i ndëshkon. Qytetarët meritojnë një qeveri funksionale që punon për intereson e tyre, për hapjen e vendeve të punës dhe që kujdeset për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.