PD frikë nga Byroja e Hetimit:
Do jetë celulë politike/ Debati

PD frikë nga Byroja e Hetimit:<br />Do jetë celulë politike/ Debati<br>
Propozimi i Partisë Demokratike për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim shkarkimin e kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, ka prodhuar debate maratonë në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit. Shqiptarja.com zbardh procesverbalin e kësaj mbledhjeje, gjatë të cilës, përfaqësuesit e opozitës kanë shpalosur të gjitha arsyet se pse duhet shkarkuar me urgjencë Arta Marku.

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka pohuar se emërimi i prokurores së përkohshme sjellë kapjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa ky i fundit do të kapë SPAK-un. Për herë të parë, demokratët kanë sulmuar Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorinë e Posaçme pa u ngritur ende, duke i konsideruar celula politike. Kujtojmë këtu se veprimtaria e Byrosë së Hetimit, dy vitet e para, do të monitorohet nga një ekip amerikan. Po, ashtu Prokuroria e Posaçme dhe Gjykatat Speciale do të ngrihen me asistencën e SHBA-BE. Tek këto struktura janë përqendruar të gjitha pritshmëritë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve për hetime, arrestime dhe dënime në nivele të larta për korrupsion, çka është edhe kusht kryesor për çeljen e negociatave.

Debatet në Këshillin e Legjislacionit
-Enkelejd Alibeaj: Është edhe një tik-tak që ka të bëjë me mënyrën sesi do të ngremë institucionet e reja të parashikuara nga Kushtetuta, Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Deri tani gjysmën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë e keni mbushur ose me bashkëpunëtorë të sigurimit ose me njerëz që kanë precedentë penalë ose me njerëz që u fshihen tatimeve dhe taksave ose me njerëz që kanë gjyqe politike të para viteve 1990. Për turpin tonë, të parlamentit, gjysma tjetër, ajo që do të zgjidhet nga prokurorët nuk do të jetë gjë tjetër veçse shëmbëlltyra e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm, politikisht të përbetuar. Do të kemi një Këshill të Lartë të Prokurorisë si një celulë e partisë në pushtet. Jo vetëm kaq, por edhe SPAK-u, Prokuroria Speciale që është bija e drejtpërdrejtë e KLP-së do të ketë po të njëjtën fytyrë. Celula politike e partisë në pushtet, celula politike brenda Prokurorisë së Përgjithshme e Kryeministrit Edi Rama bashkë me Byronë Kombëtare të Hetimit. Ky është momenti më i rëndësishëm, i vetëm për ta shpëtuar prokurorinë, drejtësinë, për t’i shërbyer publikut, për t’i shërbyer sforcove historike të këtij vendi për integrimin në BE, për të hapur një faqe të re, ku gjithsecili për shkelje të ligjit mban përgjegjësi ligjore.

-Eduard Halimi: Mënyra për ta njohur publikun është për t’i folur atij. Situata sot është shumë e rëndë. Sot kryeprokuror i Shqipërisë është Kryeministri. Unë e kuptoj që jeni komod dhe doni ta shtyni në kalendat greke me një plan dhe një situatë, e cila do të vazhdojë të mbajë në këmbë kryeprokurorin Edi Rama, i cili i ka bërë një dëm të jashtëzakonshëm çështjes kryesore të familjes kriminale Habilaj. Prandaj çdo minutë që Edi Rama qëndron kryeprokuror kjo çështje dëmtohet në mënyrë të jashtëzakonshme. Opinioni publik duhet ta dijë shumë mirë se cila është arsyeja e këtij korrigjimi që duam të bëjmë në Kushtetutë, sepse nuk është parashikuar në Kushtetutë. Edi Rama nuk duhet të jetë kryeprokurori i Përgjithshëm asnjë minutë, sepse çështja e familjes kriminale Habilaj është më e thellë se çështja e një deputeti.

-Ulsi Manja: Në kërkesën e opozitës thuhet se motivet e kësaj kërkese për ndryshime në Kushtetutë, në fakt, për ta rishikuar Kushtetutën, kanë vetëm një qëllim: të shpëtojnë reformën në drejtësi. Unë, që jam një nga anëtarët e Komisionit të Reformës në Drejtësi dhe së bashku me kolegët po merrem edhe me zbatimin e reformës në drejtësi, e përkthej shqip-shqip: jo shpëtim, por varrosje të reformës në drejtësi. Pse? Sepse kjo nismë e opozitës synon ta kthejë zbatimin e reformës në drejtësi në dhjetorin e vitit 2016, që, praktikisht, i bie në zhbërjen e reformës në drejtësi. Pra, do ta kthejë në pikën zero, që do të thotë se opozita nuk e do reformën në drejtësi dhe është bërë pishman për ndryshimet kushtetuese të korrikut të vitit 2016. Por kjo nuk është çështje jona, sepse reformën në drejtësi tashmë, në stadin ku jemi, nuk e pengon dot më politika. Opozita thotë se halli është i Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm, por, fatkeqësisht, nuk e kanë lexuar vendimin e Kuvendit, ku flitet për një prokuror, i cili ushtron përkohësisht detyrat dhe funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm.

-Vasilika Hysi: Ajo që kërkohet, është të zbatojmë Rregulloren për komisionet, që tha edhe kolegu, dhe neni 77/b do të hyjë në veprim atëherë kur dy relatorët do të kenë prodhuar raportin e tyre. Dhe mos harroni, ju thoni se “po ndryshoni një nen në Kushtetutë”, ju po zhbëni komplet reformën, që lidhet me organizimin dhe funksionimin e prokurorisë, e para. E dyta, ju keni qenë ata që keni bërtitur (sidomos pjesa tjetër e opozitës së sotme) për ndryshimet kushtetuese të bëra në vitin 2008, që “janë bërë me nxitim, në mes të natës, janë bërë pa u konsultuar e të tjerë”. Atëherë, mund të jepet koha e nevojshme, që ky ndryshim kushtetues të trajtohet me seriozitet dhe të mos bëjmë ato gabime që janë bërë, që ju thoni, në vitin 2008?

-Oerd Bylykbashi: Nga se vjen urgjenca ose nevoja për ta shqyrtuar pa diskutim, shpejt, tani? Jo vetëm që publiku e njeh nëpërmjet nesh, nëpërmjet këtij diskutimi, jo vetëm që është i publikuar, jo vetëm që tashmë e di se ç’propozohet, por ka një arsye: në fakt, data 18 dhjetor 2017 është burimi i nevojës për të ndërhyrë shpejt, për të sjellë në shinat e Kushtetutës atë që po ndodh me drejtësinë dhe me reformën në drejtësi. Më 18 dhjetor ju keni zgjedhur prokuroren e Përgjithshme provizore dhe shumë gjëra po ndodhin (do të them dy gjëra të tjera më pas), më 18 dhjetor keni miratuar ekstradimin, për ta hequr qafe Seitajn. Hallin e keni të madh dhe përpiqeni që gjërat t’i bëni shpejt kur janë në kundërshtim me ligjin dhe t’i zgjasni pa fund kur mund të ndërhyhet për ta rikuperuar situatën. A doni një arsye tjetër pse duhet bërë urgjent? Ka një marrëveshje në këtë moment (po bëhet gati për t’u nënshkruar, nëse nuk është nënshkruar), midis prokurores së Përgjithshme provizore, saqë nënkuptohet të jetë 2 javë, 3 javë, dhe ministrit të Brendshëm për të ngritur SPAK-un e qeverisë. Kushtetuta përcakton që SPAK-u është Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe kundër Krimit të Organizuar, e pavarura edhe nga prokurori i Përgjithshëm.

-Nasip Naço: Unë do të doja të caktohej që brenda një jave ne të kemi një mendim paraprak nga relatorët. Them një javë, sepse po u shty më shumë, ne pamë qëndrimin e një pjese të maxhorancës që ka planifikuar me mendjen e saj deri në 6 muaj. Sot nuk e thonë, por kur të ikim ne, do të thonë po ta dërgojmë edhe 6 muaj në Komisionin e Venecias. Është në vullnetin tuaj nëse doni ta miratoni apo jo. Ne po japim arsyet se pse duhen bërë këto ndryshime.

d,b.shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024