TIRANË,13 Shkurt/ATSH- I. Vata/-Partia Demokratike ka reaguar sot duke vënë në dyshim marrëveshjen e qeverisë për matesat elektrike inteligjente, duke aluduar se a do paguhen nga taksat e qytetarëve.
Ekspertja e ekonomisë e Partisë Demokratike, Zana Guxholli, në një deklaratë për mediat u shpreh sot se "Matësat inteligjentë kërkojnë shumë investime, rezultojnë me kosto të mëdha, janë të manipulueshëm e të dëmshëm për shëndetin. Pra, përpara se të shpallë me heroizëm projektin, kryeministri duhet të sqarojë qytetarët e vendit për kostot e mëdha, për gjithë këto pikëpyetje dhe më e rëndësishmja, në se paratë për matësat inteligjentë do të dalin nga xhepat e shqiptarëve?"
"Per matesat inteligjentë, projekti pilot parashikon 10 mijë matësa, që do ofrohen nga kompania partnere. Ajo cfarë i shqetëson qytetarët e vendit është pyetja, po 1 milionë matësa të tjerë, do të dhurohen, apo do të blihen nga qeveria? Dhe sigurisht, nëse do të blihen, kush do t'i blejë, me paratë e kujt do të blihen. Nëse këta matësa tmerrësisht të shtrenjtë, me çmim nga 350-600 euro, do të paguhen nga taksat e qytetarëve, ato do ta shtojnë më tej faturën tashmë të rritur të energjisë", aludon Guxholli. /a.ke/









