Plaga e 11 majit ende nuk është mbyllur për Partinë Demokratike. Ajo do të bëjë edhe një hap të fundit për të vërtetuar pretendimin se rezultati i zgjedhjeve të pranverës ishte pasojë e manipulimeve dhe përdorimit të shtetit në funksion të Partisë Socialiste, duke kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor në Parlament.
Kërkesa u dorëzua zyrtarisht këtë të martë nga kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi bashkë me 38 firma.
“Komisioni ka për objekt të veprimtarisë së tij: Verifikimin e ligjshmërisë të veprimtarisë të organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025 si dhe vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, barazisë, lirisë dhe ndershmërisë në proceset zgjedhore të ardhshme", thuhet në kërkesë.
Komisioni hetimor propozohet të jetë me 11 anëtarë dhe sipas ligjit kryetari t’i takojë opozitës si propozuese. Gjashtë anëtarë propozohet t’i takojnë maxhorancës.
Por historia e PD me kërkesën për hetim parlamentar pas humbjeve, nuk fillon me 11 majin. Edhe legjislaturën e kaluar u ngrit një komision me objektivin për të hetuar zgjedhjet e 25 prillit të 2021, nën dritën e publikimit të të dhënave personale dhe akuzave për përdorim të administratës.
Por, asokohe, ndonëse komisioni mblodhi figurat më të rëndësishme të lidershipit demokrat, me drejtues Enkelejd Alibeajn dhe anëtarë emra si Gazment Bardhi, Oerd Bylykbashi dhe Ervin Salianji dështoi, dhe sherret jo vetëm me kundërshtarin përballë, por edhe mes vetes, e mbyllën pa një produkt konkret.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente











