PD ikën nga Kuvendi, Meta:
Vetëm hallin e integrimit s'keni

PD ikën nga Kuvendi, Meta:<br />Vetëm hallin e integrimit s'keni

TIRANE- Opozita largohet nga Kuvendi pas gati dy orë debatesh ku akuzuan kryetarin Ilir Meta se po vazhdon të shkelë rregulloren, dhe në Parlament vazhdohet të shkelet ligji e Kushtetuta. Debati nisi me mbylljen e seancës plenare të 5 marsit, ku duhej të ishte miratuar procesverbali i seancës plenare të 27 shkurtit, dhe vazhdoi me shkarkimin e kreut të ILDKP-së, Zana Xhuka.   
 
Sipas opozitës mbyllja e Parlamentit më 5 mars ishte një nga rastet e shkeljeve të shumta që kjo mazhorancë po bën dhe kërkon rikthimin e Kushtetutshmërisë duke nisur nga anulimi i vendimit të shkarkimit të kreut të ILDKP-së, Zana Xhuka.   

Deputetja e PD-së Jozefina Topalli tha se Meta mbylli Parlamentin pasi kishte frikë nga protesta e shoferëve të furgonave që u mbajt ditën kur në Tiranë erdhi komisioneri për zgjerimin e BE-së Stefan Fyle. 

Nga ana e tij kryetari i Parlamentit i kërkoi opozitës të jenë seriozë se "vetëm hallin e integrimit nuk e ka". Ai dha dy shpjegime në lidhje me mbylljen e seancës parlamentare të së enjtes së kaluar: Njëri objektiv dhe tjetri, siç tha ai subjektiv. Sipas Metës Parlamenti ishte mbyllur pasi  shumica e pr/ligjeve që ishin në proces për t’u  miratuar të enjten e kaluar nuk ishin miratuar në komisione dhe kishte gjykuar që të enjten të mos e mblidhte vetëm për procesverbal. Ndërsa shpjegimi emocional ishte: "Nuk mund ta mblidhja Parlamentin pa Berishën".

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi tha se opozita kërkon konflikt politik në Parlament, ndërsa kreu i Grupit PD, Edi Paloka u shpreh se mazhoranca po shkel përditë ligjet.

Pas largimit të opozitës Kuvendi miratoi me 84 vota pro të maxhorancës, dy projektligje të rëndësishme, atë të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale në Republikën e Shqipërisë, si dhe p/ligjin “Për dhënie amnistie”. PO kështu u mbajt dhe interpelanca e kërkuar nga deputetja e PD-së, Jozefina Topalli për kryeministrin Rama.

ORA 14:30 INTERPELANCA, RAMA: LATË POLICINË PA THEMELE DHE NË KATRAHURË
Në interpelancën e kërkuar nga deputetja e PD-së, Jozefina Topalli për rendin dhe sigurinë në vend, kryeministri Edi Rama akuzoi qeverinë e kaluar se ka lënë policinë pa themele ndërsa kriminaliteti ka qenë shumë më i lartë se sa në këtë periudhë.
 
“Ju keni lënë policinë pa themele ne po vendosim policinë në themele: "Kryeministri Edi Rama tha se në periudhën nga shtatori 2013-shkurt 2014 numri i vrasjeve është më i vogël në krahasim me të njëjtin periudhë të vitit të kaluar."
 
“Numri i viktimave është më pak se 50. Numri i vrasjeve 43. Ndërkohë që në të njëjtën periudhë mes shtatorit fund shkurtit kur qeverisnit ju viktimat kanë qenë 73 dhe vrasjet 64.”
 
Gjithashtu, ai u shpreh se largimet nga puna të punonjësve të policisë u bën pasi emërimet ishin familjare dhe me këtë qeveria nuk mund të mbante qëndrim pajtues. “Doni që t’u mbanim në punë lukuninë e familjarëve. Apo doni që ne të pajtohemi”, tha Rama.

Edi Rama foli edhe për situatën e krimit dhe të tritolit. Kryeministri mohoi deklaratat e Partisë Demokratike se gjendja e shpërthimeve me tritol është më keq se e njëjta periudhë më parë. Ai tha se shpërthimet me tritol nga muaji janar i 2013 deri në shtator nuk ka qenë më i vogël se ai i pas kësaj përudhe.
 
Duke folur për keqqeverisjen e 8 viteve rresht të qeverisë Berisha, Rama tha se në 3 vjet kjo qeveri kishte bërë deri në 3000 lëvizje në polici.
 
Në reagimin e saj, Jozefina edhe një herë akuzoi kryeministrin se është drejtuesi më i papërgjegjshëm. Rama qeveris me gjuhë tritoli, tha ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ndërsa shtoi se gjatë qeverisjes se demokratëve sasia e drogës që transportohej drejt Italisë ishte zero.



Ora 14: 19  MIRATOHET PR/LIGJI I AMINISTISE
Miratohet me 84 vota pro pr/ligji për dhënien e aministisë dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 
 21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të  ndryshuar”. Të dy pr/ligjet morë 84 vota pro, asnjë kundër asnjë abstenim.Kuvendi miraton pr/ligjin për aministinë, ja kush përfiton

ORA 13:19 DISKUTOHET NDRYSHIMET E KODIT TE PROCEDURES PENALE 
Kuvendi vazhdon punimet pa opozitën. Diskutohet projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë  21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të  ndryshuar”. 
"Përdorimi i sloganeve zero tolerancë për korrupsion e errësoi luftën dhe perceptimin për korrupsionin. Qeveria e mëparshme ka patur rezultate të dobëta në luftën ndaj korrupsionit. Sipas statistikave qeveria e mëparshme ka dënuar për korrupsion: 44 veta në -2009, 45 veta në -2010, 72 veta në -2011, 39 veta në -2012, 70 veta në -2013."-tha Naço.

ORA 13:00 PALOKA: NUK PO BOJKOTOJMË  PARLAMENTIN, POR PO SHKELET KUSHTETUTA
 Pasi u largua opozita nga seanca, Paloka tha se opozita nuk po bojkoton Kuvendin dhe foli për protesta të organizuara nga populli.
 
“Çdo gjë po shkon keq e më keq. Kur shkelet Kushtetuta e ligjet nuk e di çfarë mund të presin qytetarët. Protestat e qytetarëve kanë filluar kundër atyre që po bën qeveria dhe do të përballet me reagimin e tyre. Nga mënyra se si po shkojnë gjërat qytetarët do të ngrihen në protestë dhe ne do të jemi bashkë me ta. Ne nuk do ta bojkotojmë Parlamentin por ne jemi që tu kujtojmë. Sot ju duket vetja të fortë, siç tha edhe kreu i parlamentit i cili tha se nuk trembej, por ballafaqimin e kanë me qytetarët.”

 ORA 12: 46  DEPUTETET E PD-SE ZBRESIN NE FOLTOREN E KUVENDIT
Tension në Kuvend. Deputetët e opozitës u vendosën rreth foltores së kuvendit dhe akuzuan  kreun e Kuvendit se po shkel rregulloren dhe parlamenti shkel ligjet dhe Kushtetutën. Meta i kërkon të jenë seriozë se vetëm hallin e integrimit opozita nuk e ka. 

Meta: “Ju lutem mos e ngrini zërin se une s’jam nga ata që trembem. Bëhuni seriozë se vetëm hallin e integrimit nuk keni, se po ta kishit do të ishit sjellë në mënyrë konstruktive.
Paloka: Jeni ju që po e pengoni integrimin. Zbatoni rregulloren. Na jipni fjalën çfarë themi është e drejta jonë. Nuk po tallemi ne por ju po mbani peng. Ju nuk zbatoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese çfarë ligjesh po zbatoni ju? 

Më pas opozita u largua.

opozita largohet nga kuvendi
(Foto: Ora 12: 46 Opozita largohet nga Kuvendi)

PD: TË ENJTEN MBYLLËT KUVENDIN NGA FRIKA, META: BËNI MOCION PER SHKARKIMIN TIM 

Seanca e sotme Parlamentare u përfshi në debate në lidhje me procesverbalin e  seancës plenare të 27 shkurtit e cila duhej të ishte miratuar në datën 5 mars.
Opozita akuzon kreun e Kuvendit se të enjten e kaluar (5 mars) bëri shkelje të rëndë. Deputetja e PD-së Jozefina Topalli tha se Meta mbylli Parlamentin pasi kishte frikë nga protesta e shoferëve të furgonave që u mbajt ditën kur në Tiranë erdhi komisioneri për zgjerimin e BE-së Stefan Fyle.

Nga ana e tij Ilir Meta dha dy shpjegime, njëri objektiv dhe tjetri, siç tha ai subjektiv. Sipas Metës Parlamenti ishte mbyllur pasi  shumica e pr/ligjeve që ishin në proces për t’u  miratuar të enjten e kaluar nuk ishin miratuar në komisione dhe kishte gjykuar  që të enjten të mos e mblidhte vetëm për procesverbal. Ndërsa shpjegimi emocional ishte: "Nuk mund ta mblidhja Parlamentin pa Berishën".

Meta:  “Do të jap disa shpjegime objektive dhe një shpjegim të karakterit tim emocional. Të mërkurën Parlamenti u mblodh në një seancë të posaçme për Presidentin e Italisë, Giorgio Napolitano.  E hëna ishte parashikuar më parë meqë të entjen (13 mars) 14 deputetë të mazhorancës dhe opozitës do të jenë në një takim në Strasburg, ku do të zhvillojnë takime me delegacionin e Parlamentit Europian.  Dhe shumica e pr/ligjeve që ishin në proces për t’u  miratuar të enjten e kaluar nuk ishin miratuar në komisione. Gjykova që të enjten (5 mars)  të mos e mblidhja vetëm për procesverbalin. Dhe shpjegimi i dytë: E kisha të vështirë ta mblidhja pa zotin Berisha, i cili ishte në Irlandë.  Nëse kam bërë shkelje bëni mocion për shkarkimin tim. “

Topalli: "Të enjten e kaluar keni mbyllur dyert e Parlamentit. Është jashtëzakonisht e rëndë. Precedent i rrezikshëm dhe përgjegjësinë personalisht e keni vetëm ju. Nuk donit Parlamentin se kishit shoferët përpara, e kishit frikë.  Ju qofshi. Por kishit rrugën të thërrisnit konferencën e kryetarëve.  Mund të merrje vendim dhe votim seancën e të mërkurës”

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Hyn në fuqi vendimi! Bonusi i fundvitit tërhiqet nga java e dytë e dhjetorit deri në fund të 2025-ës

Hyn në fuqi vendimi! Bonusi i fundvitit tërhiqet nga java e dytë e dhjetorit deri në fund të 2025-ës