TIRANE- Sipas të dhënave të botuara në media, 10 vite më parë, anëtarët demokratë të Komisionit Hetimor për SHISH-in kërkuan nga drejtori i komanduar, i ndjeri Petrit Myftari, të dhëna për bashkëshorten e kryeministrit të asaj kohe Fatos Nano. Por kjo kërkesë do të prishte paktin me Berishën, që ai kishte vendosur me zgjedhjen e presidentit konsensual, Moisiu. Më poshtë është artkulli i marrë nga "Koha Jonë" në shtator 2002:
"Rrezikohet seriozisht marrëveshja Nano-Berisha. Pas skandalit të djeshëm, lidhur me kërkesën e kryetarit të Komisionit Hetimor të Rendit dhe SHISH-it ndaj SHISH-it për një dosje të Xhoana Nanos, bashkëshortja aktuale e kryeministrit Fatos Nano, ngjarjet për këtë komision dhe vetë politikën duket se kanë ndryshuar.

Burime të sigurta pranë Spartak Ngjelës, pohuan dje për "KJ" se për kërkesën e bërë në adresë të institucionit të SHISH-it, ka pasur dijeni edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Burimet nuk saktësojnë nëse vetë Berisha ka udhëzuar Ngjelën për një veprim të tille, por thonë se ai ka qenë në dijeni të një kërkese të tillë të bërë nga kryetari i Komisionit hetimor ndaj SHISH-it.

Por një fakt i tillë rrezikon seriozisht marrëveshjen Nano-Berisha. Burime pranë kryeministrit thane dje për "KJ" se Nano e ka marrë vesh faktin se Berisha është vënë në dijeni për këtë çështje. Kreu i pozitës nuk mund të qëndrojë indiferent, pas kërkesës që një nga anetaret e komisionit ka bërë në adresë të kryetarit të SHISH-it për dosjen e Xhoana Nanos. Edhe pse në përfundim të të gjithë këtyre fakteve dhe deklaratave, për Xhoana Nanon nuk ekziston asnjë dosje në SHISH, sipas informacionit zyrtar, kjo kërkesë, ka minuar marrëveshjen Nano-Berisha.

Sapo anëtarët socialistë të grupit hetimor kanë marrë vesh mbi kërkesën personale të Spartak Ngjelës në SHISH, janë mbledhur dje pasdite për të marrë masa të menjëhershme ndaj kryetarit të komisionit. Një nga deputetët socialistë të këtij grupi tha dje për "KJ" se pesë anëtarët e pozitës në këtë komision, do të kërkojnë një mbledhje të jashtëzakonshme të Komisionit për të shkarkuar nga detyra e kryetarit të Komisionit hetimor të Rendit dhe SHISH-it, Spartak Ngjelën. Mbledhja mund të zhvillohet gjatë ditës së sotme, ose të pritet mbledhja e radhës, por arsyeja që deputetet e pozitës do të japin për shkarkimin e Spartak Ngjelës nga posti i kryetarit është "kërkesa personale e tij për të marrë informacione nga Shërbimi Informativ i Shtetit, pa vënë në dijeni anëtarët e këtij komisioni". Raporti i votave në komision mbetet pesë me katër në favor të pozitës, por duket se vendimet e ndërmarra deri më tani nga ky komision kanë qenë në favor të opozitës. Megjithatë Spartak Ngjela duket se nuk do ta ketë të lehtë pas incidentit që ai vetë shkaktoi me bashkëshorten e kryeministrit, pavarësisht se Ngjela do të mbrohet nga deputetët e opozitës në këtë komision.

Spartak Ngjela, kryetar i komisionit, kërkoi materiale hetimore në SHISH, pa vënë në dijeni anëtarët e tjerë të komisionit të posaçëm parlamentar. Tri dite më parë ai ka përpiluar një shkresë zyrtare ku ka kërkuar nga drejtori i komanduar i SHISH-it, Petrit Myftari, dosjen ku kishte të dhëna mbi jetën e bashkëshortes së kryeministrit Fatos Nano, Xhoana Nano. Ky fakt është bërë objekt debati në mbledhjen e radhës të zhvilluar dje, midis kryetarit Ngjela dhe përfaqësuesve të PS-së në komision. Anëtarët socialistë të komisionit kërkuan sqarime nga Ngjela, lidhur me këtë veprim të tij, për një informacion që nuk është objekt i punës hetimore të komisionit, aq më tepër pa u vënë në dijeni anëtarët e komisionit. Nënkryetari i komisionit Bashkim Fino, deklaroi dje pas mbledhjes se veprimi i bërë nga Ngjela ka cënuar punën e komisionit, pasi ceceshtja në fjalë nuk është fare objekti i hetimit. "Ne kemi kërkuar prej tij që ai të japë sqarime për këtë çështje. Ç'punë ka komisioni me bashkëshorten e kryeministrit?", tha Fino per "KJ". Por pas akuzave që Fino bëri në media dje, kryetari i ketij komisioni Spartak Ngjela është detyruar të pranojë se i ka kërkuar kryetarit të SHISH-it, Myftari, informacione që lidheshin me lidhjet e përfolura të bashkëshortes së kryeministrit me një agjenturë të huaj. Sipas Ngjelës, shkak për këtë është bërë një emision në një televizion privat, i cili e akuzonte znj. Nano se punonte për Asfalinë greke. Por nga ana tjeter, shërbimi sekret shqiptar kishte marrë i pari të gjitha informacionet e nevojshme. Sipas Ngjelës kreu i komanduar Myftari, konfirmon se ky shërbim nuk ka asnjë të dhënë për përfshirjen e Xhoana Nanos në agjenturat e huaja. "Nuk ka asnjë dosje në asnjë dokument që të ngarkoje znj. Xhoana Nano me çështjen për të cilën është akuzuar nëpërmjet një emisioni", tha Ngjela. Ai e mbron si të ligjshme kërkesën e tij drejtuar SHISH-it, e cila siç pohon vetë ai është pasuar nga 11 shkresa të tjera zyrtare, objekti i të cilave është sekret. Ndërkaq Ngjela thotë më tej së anëtarët socialistë të komisionit e bënë publik këtë çështje për të sulmuar Kryeministrin Fatos Nano. I gjithë debati lindi pas daljes në një televizion privat të ish-kreut të SHISH, Fatos Klosi. Kur Klosi u pyet nga gazetarët, nëse kishte dijeni se bashkëshortja e kryeministrit jep informacion tek agjenturat e huaja, ai u përgjigj: "Nuk bëj komente për këtë problem. Kam folur në institucionet përkatese". Pas kësaj, filloi edhe procesi i hetimeve për Xhoana Nanon"
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)