Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kallëzuar ditën e sotme në SPAK për ‘shpërdorim detyre’ kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi.

Burime Për Report TV bëjnë me dije se ky kallëzim ka ardhur me argumentimin se Peleshi bllokoi mbledhjen e Këshillit të Mandateve për çështjen e zëvendës-kryeministres Belinda Balluku.

PD pretendon se Peleshi përmes veprimeve apo mos-veprimeve të tij ka penguar drejtësinë të bëjë punën e vetë, duke mos i hapur rrugë procesit për heqjen e imunitetit të Ballukut, me vendim të SPAK.

Kujtojmë se më herët, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka akuzuar kryetarin e Kuvendit Niko Peleshin se e ka kthyer institucionin në bunker të Belinda Ballukut.

Në shkresën që Peleshi u ka nisur deputetëve të PD-së sqarohej se Këshilli i Mandateve nuk do të mblidhet pa u shprehur Gjykata Kushtetuese për çështjen Balluku dhe se zv.kryeministrja ka kërkuar 3 javë kohë për tu mbrojtur.

Po ashtu, më herët Bardhi ka deklaruar se Niko Peleshi ka mbyllur çdo sallë të Kuvendit si dhe atë të PD-së, duke mos lejuar as zhvillimin e një takimi me gazetarët në zyrë. Bardhi tha asokohe se do të vijojnë me kërkesat për mbledhjen e Këshillit të Mandateve.