DEKLARATA E PD MBI EMËRIMIN E ARTAN DIDIT NË KRYE TË POLICISË SË SHTETIT:
Sipas deklaratës së PD, Këshilli i Ministrave nën kryesimin e Kryeministrit Edi Rama, me propozim të ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, emëroi Artan Didin në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Por Neni 21 i ligjit “Për Policinë e Shtetit” përcakton qartësisht kriteret për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit:
1. Të ketë shërbyer në Policinë e Shtetit për një periudhë prej të paktën 3 vjeçare, me gradën “Drejtues i Parë” ose më lart, ose ekuivalente me të.
2. Të jetë shkolluar në Akademinë e Policisë, në përputhje me nenin 50 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”ose të ketë mbaruar shkollë, të miratuar sipas ligjit për arsimin e lartë, të barasvlershme me nivelin e shkollimit që përputhet me nenin 51 të këtij ligji.
3. Të ketë kryer të paktën 16 vjet shërbim si punonjës policie, duke ushtruar kompetenca policore brenda 20 viteve të fundit.
Partia Demokratike ka denoncuar publikisht, në mënyrë të përsëritur se emërimi i z. Artan Didi është kryer në kundërshtim flagrant me nenin 21 të Ligjit Për Policinë e Shtetit, sepse personi i emëruar nuk plotëson asnjë nga kriteret taksative të këtij neni për funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Në këto kushte, si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, bazuar në të drejtën tonë dhe detyrimin tuaj të përcaktuar në nenin 80 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 96 të regullores së Kuvendit, kërkojmë nga z. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, shpjegime për sa më poshtë:
- A ka verifikuar paraprakisht nëse kandidatura e z. Artan Didi ka shërbyer në Policinë e Shtetit për një periudhë prej të paktën 3 vjeçare, me gradën “Drejtues i Parë” ose më lart, ose ekuivalente me të? Nëse po, çfarë procedure verifikimi ka ndjekur dhe me çfarë dokumentacioni zyrtar ka vërtetuar përmbushjen e këtij kriteri taksativ ligjor?
- A ka verifikuar paraprakisht nëse z. Artan Didi ka përfunduar studimet e larta në Akademinë e Policisë, në përputhje me nenin 50 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”ose të ketë mbaruar shkollë, të miratuar sipas ligjit për arsimin e lartë, të barasvlershme me nivelin e shkollimit që përputhet me nenin 51 të këtij ligji? Nëse po, çfarë procedure verifikimi ka ndjekur dhe me çfarë dokumentacioni zyrtar ka vërtetuar përmbushjen e këtij kriteri taksativ ligjor?
- A ka verifikuar paraprakisht nëse z. Artan Didi ka kryer të paktën 16 vjet shërbim si punonjës policie, duke ushtruar kompetenca policore, brenda 20 viteve të fundit? Nëse po, çfarë procedure verifikimi ka ndjekur dhe me çfarë dokumentacioni zyrtar ka vërtetuar përmbushjen e këtij kriteri taksativ ligjor?
- Në kushtet e shkeljes flagrante të ligjit në emërimin e z. Artan Didi si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe pasojave të rënda që kjo paligjshmëri passjell në lidhje me ligjshmërinë dhe legjitimitetin në të gjitha aktet dhe veprimet e Drejtorit të Përgjithshëm dhe strukturave në vartësi të tij, kërkojmë të dimë se kur do të revokohet akti administrative i emërimit të z. Artan Didi, përfundon deklarata e PD.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)