Kërkesa e PD-së për të mbajtur interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me ankimimin e pezullimit të Belinda Ballukut në Gjykatën Kushtetuese nuk është pranuar. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi theksoi se çështja është në Kushtetuese dhe duhet pritur vendimi nga ana e gjykatës. 

74 deputetë votuan kundër dhe vetëm 17 ishin pro për mbajtjen e interpelancës.

"Objekti është aktualisht në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkesa për interpelancë urgjente sipas parashikimit kushtetues, nuk është pranuar se çështja është aktualisht në Gjykatën Kushtetuese. Është ky organ që do të japë një interpretim përfundimtar mbi kompetencat dhe ndarjen e pushteteve mes institucioneve. Çdo përpjekje për të nxjerrë një vendim politik para se të përfundojë shqyrtimi kushtetues mund të cënojë parimet e pavarësisë së institucioneve. Është e domosdoshme të pritet vendimi i Gjykatës”, tha Peleshi.

Qeveria, në kërkesën depozituar në Gjykatën Kushtetuese, argumentoi se GJKKO me vendimin për pezullim ka shkelur kompetencat e Këshillit të Ministrave, Presidentit dhe Kuvendit. Por, PD, në kërkesën për interpelancë theksonte se Rama ka paraqitur pretendime në Kushtetuese në emër të Kuvendit pa marrë asnjë qëndrim nga ana e këtij institucioni. 


Lajmi kryesor:

Debate në Kuvend për Ballukun! Rrëzohet kërkesa e PD për interpelancë me Ramën: Po i bën presion drejtësisë! PS: Çështja në Kushtetuese