Partia Demokratike ka depozituar 2 amendamente lidhur me propozimin e Partisë Socialiste për ngritjen e dy komisioneve të Posaçme, përkatësisht për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Administrativo-Territoriale.

Partia Demokratike kërkon që dy komisionet e posaçme të ngrihen në bazën e barazisë pozitë-opozitë.

Këtë barazi që opozita kërkon, PS ia dha në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore me 16 anëtarë, por në ‘8 përfaqësuesit e partive të tjera parlamentare’, një vend i takon Partisë Socialdemokrate, e cila nga demokratët është cilësuar si degë e PS-së dhe që do të jetë gjithmonë një votë plus për mazhorancën duke e bërë barazinë fiktive vetëm në numra.

Gjithashtu, PD kërkon që pjesë me ekspertizë të jenë institucionet ndërkombëtare, përfshirë këtu Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.

Po ashtu, për çështje të veçanta për të cilat palët nuk arrijnë konsensus, propozohet që ato t’i drejtohen Komisionit të Venecias dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale në Këshillin e Europës.


Lajmi kryesor:

PS pranon kërkesën e PD për anëtarë të barabartë te 'Zgjedhorja' dhe 'Territorialja'! Kaosi në sallë mban peng ngritjen e dy komisioneve