Debate te Këshilli i Mandateve/ PD kërkon heqjen e mandatit të Sinajt: Ka përfituar fonde publike! Deputeti i PS: Rrogën time e bëj donacion, dhashë 100 mln lekë të vjetra për tërmetin

TIRANË- Me debate të ashpra është zhvilluar mbledhja në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku u shqyrtua kërkesa e opozitës për heqjen e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj. 14 ligjvënësit opozitarë kërkojnë konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të Sinajt, duke e akuzuar se ka përfituar para nga fondet publike. Më i ashpri ishte Gazment Bardhi, i cili në fjalën e tij tha se Sinaj ka shkelur kushtetutën, pasi ka përfituar rreth 36 mijë euro nga bizneset në pronësi të tij.

“Kemi verifikuar se deputeti Sinaj është pronar në 9 kompani, ku në 5 prej të cilave është aksioner i drejtpërdrejt. Ne kemi verifikuar nëpërmjet shkresave zyrtare, në këtë rast Drejtorisë se Thesarit, se deputeti Vullnet Sinaj, nëpërmjet kompanive të tij në vetëm 9 transaksione që ne kemi evidentuar mund të jenë edhe shumë më shumë, ka përfituar nga buxheti i shtetit rreth 36 mijë euro.

Në këto kushte ai është në shkelje të Kushtetutës konkretisht të nenit 70, pika 3. Këto fakte, janë konfirmuar zyrtarisht edhe nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Thesarit”, tha Bardhi në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

I ulur përballë kolegëve deputetë, Sinaj mohoi edhe një herë akuzat duke thënë se nuk ka përfituar kurrë asnjë para nga buxheti i shtetit. Madje me ironi iu kthye bardhit duke i thënë se “si ka mundësi që nuk ke gjetur dokumentet për paratë që unë kam dhuruar edhe gjatë kohës së tërmetit”.

Pagën prej deputeti, Sinaj tha se nuk e ka përfituar asnjëherë, por e çon atë për donacione për qytetarët në nevojë, e ndërsa shtoi se në kohën e tërmetit i ka dhuraur 100 mln lekë të vjetra buxhetit të shtetit. Ai sqaroi edhe shifrat 36 mln euro që Bardhi pretendon se ka përfituar gjatë kohës që ka qenë deputet, ndërsa të gjithë këtë debat të krijuar e quajti një farsë.

"Jam sot këtu për të sqaruar opinionin e gjerë dhe gjithë shqiptarëve. Nga e gjithë kjo farsë që është mbarsur, 37 mln, është qesharake, 32 mln janë rimbursime të tatim fitimit dhe tvsh nga disa biznese që kanë shkuar në likuiditet. Kjo është me ligj. Këto janë lekë të biznesit dhe jo të buxhetit. Katandiset problemi yt për 4 mln lekë të vjetra në 2 mandate. Për ca ke ardhur këtu, për të më hequr mandatin e parë që është mbyllur. Pra, faturat e mandatit të dytë janë vetëm 350 mijë lekë të reja Kam qenë në biznes 20 vjet dhe në politikë kam hyrë për të dhënë kontributin në të mirë të vendit tim. Rrogën time të deputetit e kam bërë donacion për njerëzit në nevojë, kush kishte një hall që nuk ndërtonte një shtëpi, kush kishte një problem ekonomik.

Më vjen keq për Bardhin që është lodhur kaq shumë që marrë informacion nga thesari, si nuk gjeti 100 mln lekë të mija të dhuruara për buxhetin e shtetit në situatën e tërmetit. Si nuk gjete që ky Big Market Group, një ditë pasi unë kam dhuruar 100 mln lekë, ka dhuruar 100 mijë euro më pas. Është hera e parë që flas për veten time, do më falin gjithë shqiptarët. Me detyruat të flas, ju më plasët cipën. Më detyruat të flas hapur. Si ka mundësi që biznesi ku Sinaj ka 100% të kuotave pasive ka dhuruar 100 mijë euro në kohën e tërmetit. A mund të ketë ndonjë deputet që të ketë dhuruar për shtetin këto shifra që kam dhuruar unë. Katandiset kaposhi yt një thel, është një farsë. Këta kanë sjell dy dosje voluminoze”, tha Sinaj në mbledhjen e Këshillit të Mandateve më 4 shtator 2024.

Ai tha se në momentin që ka marrë mandatin e deputetit ka hequr dorë nga aksionet e tij në biznese.

“Ajo që ju më akuzoni mua sot është shitja e produkteve në kasa. Ku ta dijë një punonjës i kasës se kush ble në marketet e Big Market? Kujt t’ia ndalojmë hyrjen në Big Market na i thoni? Nuk kam përfituar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, përkundrazi jam donator. Nuk kam marrë pjesë në asnjë tender, në asnjë koncension”, tha Sinaj.

Me ironi Bardhi iu përgjigj Sinajt se ka dhuruar ngaqë ka përfituar.

“Ke fal se ke përfituar, ne s’kemi ca të falim, se një pjesë këtu jetojnë me rrogë. Para se të bëheshe deputet kompanitë tuaj kanë qenë në sekuestro për shkak të detyrimeve të prapambetura. I bëtë deputet dhe nga minues kanë shkuar kompanitë...”, tha Bardhi.

Nënkryetari i Kuvendi, Bledi Çuçi i tha Bardhit se nuk ka asnjë dokument që tregon se 36 mijë eurot janë përfituar prej deputetit të PS

"Kjo shumë (3,6 milionë) është shuma e faturave që janë marrë. Nëse do t'i referohemi kërkesës së mocionit, do duhej të dinim shumat që ka përfituar deputeti dhe kjo të mbështetej në dokumentacion. Domethënë nuk ka një dokument të qartë që kaq është shuma e përfituar nga zoti Sinaj", deklaroi Çuçi.

Fyese e quajti edhe deputetja e P, Ermonela Felaj situatën e krijuar me Sinajn.

“Nuk është i pari njeri që vjen nga bota e biznesit në parlament. Kjo mënyra e të trajtuarit të një kolegu është fyese për të gjithë ne si deputetë që jemi ulur në këto pozicione. Procedura është e qartë, këshilli do duhej t’ia kishte bërë të njohur deputetit, siç është e drejta për të marrë pjesë, mbrojtje. Ky këshill nuk mund të hyjë në debat me deputetin a thua se jemi gjykata që vendosim për mandatin e deputetit apo jo. Kuptova që Sinaj, i takon të jetë verifikuar të paktën nja 10 herë, nga verifikimi i ILDKPI, por edhe Kuvendi. Në asnjë rast juristët e kuvendit nuk kanë kapur një rast të tillë, Sinaj që vuhet në dyshim se ka përfituar fonde, çfarë u tha këtu. Çfarë pretendohet të blejë kuvendi, Prokuroia te Big Market. Ma do mendja mjete higjienike, për këto kemi ardhur në këto, jemi mbledhur dhe juve ju kërkohet që çdo blerësi të pyetet kush janë, të tregojnë kartën e identitetit”, tha Felaj.

Me kërkesë të Sinajt, mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe imunitetin u shty, pasi deputeti socialist kërkoi kohë të shqyrtojë dosjen e opozitës. Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha se mbledhja e radhës do mbahet jo më larg se një javë, ndërsa opozita caktoi relator Dhurata Çupin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:27
'Azili i pleqve ka blerë 47 mijë lekë detergjentë', Çuçi 'rrëzon' shifrat e Bardhit: Dua të di sa ka përfituar Sinaj, keni dokumentacion?

Në mbledhjen e Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin, nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi pyeti kreun e grupit të PD, Gazment Bardhi se sa është shuma e përfituar nga deputeti Vullnet Sinaj, për të cilin opozita kërkon që t’i hiqet mandati.

Gazment Bardhi tha se vlera e transaksioneve është 36 milionë lekë të vjetra, por Çuçi i tha kreut të grupit të PD se nuk ka asnjë dokument që tregon se sa nga këto para janë përfituar nominalisht nga Sinaj.

Bledi Çuçi: Në fakt sot ne diskutojmë kërkesat juridiko-formale si Këshill. Patëm një kërkesë nga zoti Sinaj për të marrë kohë për t’i lexuar. Kam një pyetje për Bardhin, sa lekë ka përfituar Sinaj nga këto transaksione? Dua shumën e saktë.

Gazment Bardhi: Shuma e përmbledhur e vlerës së transaksioneve është 36 milionë lekë të vjetra.

Bledi Çuçi: Jo pa qëllim e bëra pyetjen se kjo shumë është shumë e faturave që kanë marrë nga burimet publike për shpenzimet që janë bërë në big market. Nëse do merreshim me kërkesat formale të mocionit, do të duhej që shuma që ka përfituar Sinaj të ishte e mbështetur me dokumentacionin përkatës. Nga këto dhjetra fatura që keni marrë për azilin e pleqve në Durrës që ka shkuar dhe ka blerë detergjentë dhe materiale dezinfektimi me vlerën 47 mijë lekë. Nëse ajo shumë ka dalë nga mbledhja e të gjitha shumave që keni në fatura ky nuk është përfitimi, kjo është xhiro. Dua të di sa ka përfituar Sinaj. Parashikimi i rregullores kërkon që pretendimi juaj për shumën duhet të mbështetet me dokumentacion.

Bardhi: Nuk merrem me normat e përfitimit që ka kompania sepse Kushtetuta flet për përfitim të fondeve publike dhe kjo nënkupton kalimin e lekëve nga buxheti i shtetit në kompaninë në pronësi të SInajt. Ai ka marrë në mënyrë të rregulltë dividentin nga secila kompani.

Ora 13:22
Replikat/ Pagesa nga buxheti i shtetit? Sinaj përplaset me PD-në: Shitësja nuk e dinte as që Biblioteka Kombëtare është institucion shtetëror, nuk janë të gjithë juristë si Bardhi

 

Deputeti socialist, Vullnet Sinaj është përplasur në Këshillin e Mandateve me deputetët demokratë të cilët e akuzojnë se ka përfituar rreth 36 milionë euro përmes kompanive të tij nga buxheti i shtetit.  

Gjatë mbledhjes së Këshillit ai tha për aq kohë sa shteti nuk e ka një databazë të institucioneve, shitësit në markete nuk mund ta dinë se cilit nuk duhet t’i shesin mallra në kasë.

Klotilda Bushka: Thatë që para që vijnë nga të ardhurat e shtetit në kompanitë ku jeni ortak pasiv, janë marrë përmes pagesave me blerje në kasat e supermarketeve. Ju thatë që nëse mblidhen vlerat e faturave shkojnë 350 mijë lekë të reja. I keni marrë ju direkt apo jane paguar në kasë?

Vullnet Sinaj: Unë nuk kam asnjë shans që të marr vesh çfarë bëhet në kasat e supermarketeve. Nuk kam asnjë shans të evidentoj se çfarë të ardhurash kanë ardhur te unë në 5 fatura në një number mbi 250 milionë fatura. Kolegu tha se duhet ta dinte që ky është institucion shtetëror. A ka shteti ndonjë databazë. Tu them një gjë për të qeshur që me erdhi si informacion nga një punonjëse supermarketi. Kishte bërë 11 fatura me Bibliotekën Kombëtare. U thashë pyeteni pse i ka bërë këto 11 fatura. Përgjigjja që dha ishte “nuk e dija që Biblioteka është institucion shtetëror”. Kompania nuk i ka administratorët juristë si puna e Bardhit që lexon ndonjë libër. Ata janë me 7-8 klasë.

Arben Pëllumbi: E keni ushtruar ju pushtetin tuaj politik për të shitur letër higjenike për gjykatën?

Vullnet Sinaj: Jo unë, po as biznesi nuk ka shkuar të bëjë tenderim. Janë institucionet që kanë shkuar kanë blerë. Unë vetëm kam dhuruar dhe prisja që të falenderonit sot dhe të më thoshit “kaq shumë sa ke dhuruar, duhet të rrish prapë deputet”.

Gazment Bardhi: Keni dalë në raportin e TI se është ndryshuar ligji për të përfituar ju rimbursim të tvsh. Ne po analizojmë letrat dhe faktet.

Vullnet Sinaj: Me OJF merresh ti? Na sjell OJF këtu. Ajo merret vetëm me shpifjet që thoni ju në gazeta.

Sajmir Korreshi: Nga 2017 që jeni bërë deputet, marketet tuaja janë shtuar apo janë pakësuar?

Vullnet Sinaj: Keni një zell të madh për të mësuar nga biznesi. Këshilla e parë që do tu jap është që nuk bëhesh biznesmen pas politikës se do të paragjykojë populli. Biznesmen bëhesh në kohë. Të pyes unë ty, sa supermarkete kam pasur unë para se të bëhesha deputet? Si mund të jap përgjigje për punën e palodhur të 2500 punonjësve? Biznesi im ka qenë gjithmonë në rritje.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • xXx: 04/09/2024 18:10

    Ore ke shkelur ligjin...Jo po dhashe aq,jo po dhashe kaq...Ke marre leke nga buxheti i shtetit ne konflikt interesi...

    Përgjigju
    • Degjoni lajme si doni vete: 05/09/2024 02:19

      Nuk eshte e sakte ky komenti qe ke bere. Deputeti Sina i ka leshuar te gjitha supermarketet si franchise, dhe ka hequr dore nga manaxhimi i tyre. Ne kohen e Covid, nje punojes i nje institucioni te shtetit ka vajtur ne nje nga supermarketet franchise te Big Market dhe ka blere leter tualeti dhe ka paguar tek kasa. Si mund ta dije deputeti se ku punojne njerezit qe vene blejne produkte tek supermarketet qe nuk jane ne manaxhim te tij? Si mendon ti se paska shkelur ligjin kur nuk ka shkelje ligji. Mendon ti se deputeti do shkelte ligjin per 350 mije leke te vjetra kur ai e fal rrogen e deputetit per bamiresi edhe ka dhene miliona nga leket e veta per zonen qe perfaqeson. Deputeti qe ngre pretendimet eshte shume pragmatik edhe sillet njesoj sikur po ben teater ne teatrin e shekspirit. I pelqen shume dritat, kamerat, dhe vemendjet. Plus qe nuk njohet nga ata qe thote te verteten. Liri Berisha ka vjedhur 4 milione euro ne nje dite, Sali Berisha ka vrare ne 21 janar edhe ka vjedhur leket e firmave piramidale, dhe Zeni e di vete se cfare ben. Ndjekin shtrigat e Salemit per publicitet edhe spektakel. Sikur parlamentu te kishte nja 5 deputete si Vullnet Sina ne te dyja anet e parlamentit, Shqiperia do ishte ne Europe. Shume gabim qe beni komente pa kuptuar se c’fare po thuhet.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim