Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, kërkoi që projektligji për strehimin të hiqet nga rendi i ditës. Ajo tha se projektligji nuk kishte qenë në programin e punës dhe se ishte futur në seancë pa respektuar rregulloren e Kuvendit.

“Nuk ka qenë në programin e punës, e keni përfshirë në seancë pa respektuar rregulloren. Keni bërë tenderë, nuk keni shpërndarë banesa. Sa herë ka tërmet këtu në Shqipëri, ndodh ky fenomen. Prezantohet në buxhet në vitin e parë dhe më pas s’ka buxhet pasardhës që mbulon fondet.

Doli që banesat e rindërtimit, që duhej të ishin rindërtuar, akoma sot e kësaj dite i përdorin si mall elektoral. A ka fatkeqësi më të madhe që të përdoret korrupsioni e vjedhja aty ku ka pasur humbje jetësh? Duan ta përdorin edhe rindërtimin për fushatë elektorale. E meqë paska ardhur edhe Rama, meqë u duhet kartoni, zgjedhjet e 9 majit janë zgjedhje që, pa nisur akoma, janë zgjedhje të vdekura. E gjithë Shqipëria është ngritur në këmbë kundër këtij njeriu, se sot ka kapur për fyti ekonominë, çdo sektor, buxhetin dhe të ardhmen e të rinjve shqiptarë, që po i kërkojnë: Rama, jep dorëheqjen!", tha Tabaku.

Balla tha se 10 mijë familje presin të hyjnë në banesa dhe se shqyrtimi i projektligjit nuk mund të vonohet.

“Mendoj që ishte një lapsus kur the ‘sa herë ka tërmet’. Juve, e vetmja gjë që ju duket tërmet është rezultati i zgjedhjeve dhe besoj që të foli dikush brenda vetes kur parashikove rezultatin e 9 majit. Por ne nuk kemi kohë për të humbur me ju. Që ne të presim që 10 mijë familje të hyjnë në banesa dhe të presim nazet tuaja? Nuk ju presim edhe një minutë", tha Balla.

Kërkesa e PD për ndryshimin e rendit të ditës u rrëzua. 


Lajmi kryesor:

LIVE TV - Kuvend/ Rama: Buxhet historik, prek tavanin e 10 miliardë eurove, kemi trefishuar ekonominë! PD lë sallën në shenjë proteste