Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, deklaroi të enjten se kostoja e jetesës është kthyer në një emergjencë për familjet shqiptare, duke e lidhur këtë me rritjen e inflacionit dhe çmimeve të ushqimeve, strehimit e transportit. Ai tha në një deklaratë për shtyp se për PD ulja e kostos së jetesës është një përparësi absolute, ndërsa solli në kujtesë propozimet e demokratëve për minimumin jetik, taksën e sheshtë 10%, uljen e TVSH-së dhe lehtësimin e barrës fiskale.
" Për Partinë Demokratike, ulja e kostos së jetesës është një përparësi absolute ekonomike dhe sociale. Ne kemi propozuar vazhdimisht në Parlament, me iniciativa konkrete përcaktimin me ligj të minimumit jetik dhe indeksimin e tij sipas kostos reale të jetesës. Kemi propozuar një sistem fiskal më të thjeshtë dhe më të ulët: taksë të sheshtë 10%, mbrojtje të të ardhurave të ulëta nga tatimi, zero tatim për biznesin e vogël dhe profesionet e lira dhe ulje të barrës fiskale mbi karburantin. Kemi propozuar uljen e TVSH-së, incentiva për të inkurajuar prodhimin dhe industrinë, e mekanizma të tjerë për të lehtësuar drejtpërdrejt barrën e produkteve bazë për familjet që kanë më shumë nevojë. Të gjitha janë refuzuar me arrogancë nga mazhoranca. Natyrisht, asnjë masë e vetme nuk mjafton. Duhet çrrënjosur nga të gjithë ne së bashku, ky sistem klientelist e oligarkik, për të rikthyer ekonominë e vërtetë të tregut" tha Kedhi.











Komente
Komento