TIRANE-Partia Demokratike kërkoi edhe ditën e sotme shkarkimin e nëndrejtorit të Policisë së Shtetit Albert Dervishaj duke  e akuzuar se ka qenë për 10 vite sigurims i shtetit në kohën e diktaturës.

"24 orë pas denoncimit të Partisë Demokratike që në krye të Policisë së Shtetit është emëruar një agjent i sigurimit të shtetit, Edi Rama dhe Sandër Lleshaj heshtin.

Dy njerëzit që kanë emëruar bashkëpunëtorin e sigurimit, në postin e ndëndrejtorit të policisë, nuk kanë thënë asnjë fjalë. Kryeministri në ikje dhe servili i tij Lleshaj heshtin sepse janë ata përgjegjës për emërimet e të inkriminuarve dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit në drejtim të Policisë.

Albert Dervishaj është emëruar si numri 2 i Policisë së Shtetit në shkelje të ligjit që e ndalon përfshirjen në polici të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Duke emëruar Albert Dervishajn në këtë post, dyshja Rama-Lleshaj kanë shkelur ligjin dhe për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi.

Emëruesit e tij në krye të Policisë së Shtetit, heshtin sepse ata e dinë ekzistencën e dosjes me numër regjistri 7559 në degën e sigurimit në Korçë në emrin e Albert Dervishajt. Me këtë heshtje ata nxjerrin zbuluar farsën me vettingun që ngritën vet dhe ligjin për policinë e Shtetit duke emëruar me bindje të plotë sigurimsa në krye të organizatës më të rëndësishme ligjzbatuese në Shqipëri.

Albert Dervishaj duhet të shkarkohet menjëherë nga detyra dhe ata që e kanë emëruar në krye të policisë, Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, të mbajnë përgjegjësi ligjore. Në qeverisjen e Partisë Demokratike, të gjithë ata që kanë shkelur ligjin do mbajnë përgjegjësi ligjore e penale dhe policia do të kthehet në shinat e ligjshmërisë duke i shërbyer vetëm sigurisë së vendit dhe qytetarëve" deklaroi Dhurata Çupi.  Albert Dervishaj u emërua dy ditë më parë n/ drejtor i policisë së shtetit në vendin e Aida Hajnajt.