Partia Demokratike i kërkon KQZ-së verifikimin e kandidatit të Sali Berishës për bashkinë e Lushnjes për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Përmes një kërkesa drejtuar KQZ, PD shkruan se në bazë të ligjit të dekriminalizimit , kandidati i koalicionit "Shtëpia e lirisë" në Lushnjë Elton Bano, ka fshehur një dënim për vjedhje në Britaninë e Madhe duke mos e deklaruar në formular ashtu siç e parashikon ligji.

 “Sipas informacioneve të verifikuara në rrugë konfidenciale nga Partia Demokratike, rezulton se shtetasi Elton Ilir Bano, i datëlindjes 24.07.1978 ka qenë i proceduar dhe i dënuar në Britaninë e Madhe për kryerjen e veprës penale të vjedhjes, në periudhën 1998-2000”, thuhet në kërkesën e PD drejtuar KQZ-së.

 PD thekson se këto të dhëna janë fshehur qëllimisht në deklarimin e kandidatit dhe se një fakt i tillë sjell përjashtimin e menjëhershëm të tij.

 “Fshehja e këtyre të dhënave ka qenë me qëllim për të penguar institucionet të kryejnë verifikimin", thuhet në kërkesën e PD për verifikimin e Elton Banos.

Kandidati i Sali Berishës për bashkinë e Lushnjës, Elton ka mohuar akuzat duke u shprehur se PD po shpif për të përbaltur emrin e tij.  Bano thotë se sulmi politik është një sulm personal që padyshim do ndiqet në rrugë ligjore për shpifje dhe prishje imazhi.

3 ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme nisi hetim të thelluar edhe për kandidatin e Partisë Demokratike për Rrogozhinën në garën e 6 marsit, Ferdinand Saraçi. Verifikimi i tij erdhi pas kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pasi në formularin e dekriminalizimit Saraçi ka deklaruar dënimin me 4 muaj burg dhe 100 mijë lireta gjobë në Itali për armëmbajtje pa leje në banesë, teksa i është referuar nenit 110 të Kodit Penal dhe nenit 10 ligji 17/10/1994, numër 497 të ligjit italian, që flet për një dënim në bashkëpunim.  Pritet që sektori i dekriminalizimit t’i dërgojë INTERPOL Romës letër-porosi për Saraçin për informacion të detajuara lidhur me gjurmët e gishtërinjve, gjeneralitetet, emrat e tjerë që mund të ketë përdorur në Itali, është arrestuar apo jo në kushtet e flagrancës, çfarë ka vendosur gjykata, është hetuar në gjendje të lirë apo masë sigurie. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:21
‘Elton Bano fshehu dënimin për vjedhje në Angli’, reagon PD Dega Lushnjë: Askush nuk duhet të ketë frikë nga verifikimi, të zbatohet ligji

Partia Demokratike dega Lushnjë ka reaguar pas kërkesës së PD-së në KQZ për të verifikuar kandidatin e Shtëpisë se Lirisë Elton Bano.

“Gjuha e rrugës nuk është model politik. As kopjimi i sjelljes së Valdrin Pjetrit, Agim Kajmakut, etj. nuk është shpëtim. As viktimizimi nuk është zgjidhje.

Cilido që kërkon besimin e qytetarëve, qoftë edhe kur përfaqëson Shtëpinë e Ilir Metës, ka detyrimin të jap shpjegime për të kaluarën e tij. Askush nuk duhet të ketë frikë nga asnjë proces verifikimi. Përgjigja e institucioneve do bëjë transparencë për qytetarët e Lushnjes dhe pastërtinë e figurës së secilit kandidat.

Partia Demokratike ka paraqitur pranë KQZ informacionin e plotë për dënimin për vjedhje të kandidatit të LSI-PDK Elton Ilir Bano, që duhet të konfirmohet zyrtarisht edhe nga autoritetet ligjzbatuese angleze. Kushdo duhet të ruaj qetësinë dhe të jetë i vërtetë me votuesit. Fshehja e procedimeve apo dënimeve nga autoritetet ligjzbatuese të huaja, jo vetëm ndalon zgjedhjen apo kandidimin, por përbën vepër penale që dënohet me burgim.

Ne jemi të vendosur të kërkojmë respektimin e ligjit ndaj kujtdo dhe nga kushdo. Ky është modeli ynë, respekt ndaj qytetarëve dhe ndaj ligjit”, shkruhet në deklaratë.

Ora 12:52
‘Fshehu dënimin për vjedhje në Angli’, kandidati i Berishës i përgjigjet PD-së: Shpifje për të përbaltur emrin tim

Kandidati i Sali Berishës për bashkinë e Lushnjës, Elton Bano ka reaguar pas kërkesës së PD-së drejtuar KQZ-së për verifikimin e tij, pasi sipas tyre, ka fshehur një dënim për vjedhje në Britaninë e Madhe duke mos e deklaruar në formular ashtu siç e parashikon ligji. Elton Bano ka mohuar akuzat duke u shprehur se PD po shpif për të përbaltur emrin e tij.  Bano thotë se sulmi politik është një sulm personal që padyshim do ndiqet në rrugë ligjore për shpifje dhe prishje imazhi parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal.

Reagimi i plotë

Unë, Elton Bano kandidat i koalicionit ‘’Shtëpia e Lirisë’’ për bashkinë Lushnje dua fillimisht të falenderoj çdo bashkëqytetar lushnjar, çdo përkrahës, të rinj dhe të reja, burra dhe gra qe I jeni bashkuar fushatës time në mënyrën më profesionale të mundshme.

E ndjej që sot për herë të parë të reagoj për një shpifje dhe baltën që po mundohen të hedhin mbi mua për të disatën herë rradhazi. Lushnja dhe bashkëqytetarët e mi më njohin dhe e dinë se mua nuk më përndjekë asnjë e shkuar e errët, e dinë se misioni politikë që kam ndermarrë në të vertetë është një mision për qytetin ku jam lindur dhe rritur, shkolloj fëmijët dhe bashkëjetoj më prindërit e mi tashmë në pension.

Pergjigja ime nuk i drejtohet as Gazrave të cilët vijnë ende aromë kimikatesh nga ato që sulmuan demokratët në 8 Janar e as personit që më pantallona të shkurtra në 20 Shkurt rrëzoi bustin e Enver Hoxhes. Une i drejtohem të gjithë qytetarëve të ndershëm lushnjar, prindërve dhe femijëve te mi.

• Deklaroj se nuk kam qenë kurrë i dënuar për asnjë vepër penale në asnjë nga shtetet ku kam qëndruar ndryshe nga kandidatët e Bravës.

• Deklaroj se në Angli kam jetuar si cdo emigrant i ketij vëndi dhe kam poseduar leje qëndrimi që më lëjonte të shkoja e të vija deri në vitin 2010.

• Deklaroj se të gjitha portalet gjobvënëse në posedim të krimit, qeverisë apo Bravës do marrin pergjigjen e merituar në 6 Mars e do pergjigjen para ligjit.

Tentativa juaj e pashpresë për të përbaltur emrin tim do të shkërrmoqet ashtu si është shpërbërë kredibiliteti juaj tek qytetaret lushnjarë.

Ju bëj me dije dhe ju këshilloj që mijëra eurot të cilat i shpërdoroni duke krijuar filma mbi jetën time ti përdorni për kauza sociale e bamirësie.

Pavarsisht çdo tentative të bërë deri tani, pavarsisht dëshirës tuaj të dëshperuar për të penguar fushatën tonë model, të pastër, të ndershme duke trokitur derë më derë, dukë u ulur përkrahë qytetarëve të cilët nuk kanë nguruar të na shohin dritë shprese dhe ndryshimi, pavarsisht çdo gjëje të keqe që po planifikoni në dëshpërim e sipër nga humbja e thellë,une nuk mund të lejoj të luhet pisët me emrin tim nga disa të pafe që politikën nuk e shohin si dicka tjetër veçse zhvatje e popullit shqiptarë dhe perfitime personale.

Sulmi politik I sotëm për mua është një sulm personal që padyshim do ndiqet në rrugë ligjore për shpifje dhe prishje imazhi parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal.

Përgjigjen sot po e jap për personin më të rëndesishëm në jetën time, që sot e kam larg vetes në vendin ku po kurohet që ju po prap nuk hezituat ta përdornit për shpifjet tuaja.

Zemra e babit, sa gjysmën e guximit dhe forcës tënde të kishin këta mjeranë Lushnja dhe Shqipëria nuk do ishin në këto kushte.

Rrofte demokraci! Rrofte Shqiperia! Rroftë Lushnja dhe lushnjarët!