TIRANË - Partia Demokratike ka sulmuar sërish Ministrinë e Brendshme për situatën e krimit në vend, duke thënë se, në kohën kur ministri bënte paradën e sukseseve imagjinare krimi ka goditur sërish.
 
Në një njoftim për median nga selia blu thuhet se, “vetëm gjatë kohës së shkurtër që Ministri i Brendshëm po monologonte për arritjet e tij në krye të rendit, në Vlorë krimi sulmoi me tritol Kryetarin e Komunës Qendër, dhe në Tiranë një aksident në rrugën e Elbasanit mori jetën e një kalimtari”.
 
Sipas Partisë Demokratike, “ky është bilanci i vërtetë i rendit dhe sigurisë si rezultat i zhbërjes së policisë së shtetit nga Rama e Tahiri”.
 
“Shqipërinë e ka marrë në dorë krimi, ndërkohë që Ministri i Brendshëm vazhdon paradën e sukseseve imagjinare në televizion”, përfundon deklarata e shpërndarë për median nga ana e selisë së Partisë Demokratike.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)