TIRANË- Partia Demokratike këmbëngul që koronavirusi ka ardhur në Shqipëri që në muajin janar.

Nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, PD-ja shprehet se ka fakte imazherike për këtë, të cilat nuk konfirmohen nga ekspertët e Komitetit Teknik, pasi "nuk i pëlqen" kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë, mbledhjen e sotme të ekspertëve e quajnë si të "dëmshme" që nuk sollën asgjë për publikun.

“Mjekë imazheristë u janë rikthyer kontrolleve që kanë bërë në Janar dhe kanë publikuar pamje imazherike ku dallohen shenjat e Covid. Ato janë fakte me figurë. Po aq kokëforte si fakte janë tabelat zyrtare të sistemit alert për rastet e gjendjeve virale me temperaturë të lartë deri në 2 Mars 2020. Nga tamponët e realizuar në këta pacientë me gjendje febrile, plot 62.5% rezulton JO grip stinor! Pra ka qenë Covid? Këtë “ekspertët” nuk e shpjegojnë, e as pamjet imazherike të specialistëve të fushës. Virusi ka qenë në Shqipëri në që Janar, por ekspertët e Ramës e mohojnë pa sjellë asnjë fakt, por duke dhënë vetëm opinionin që i pëlqen kryeministrit. Asnjë studim nuk ka as se sa qytetarë e kanë kaluar, sepse Edi Ramës nuk i pëlqen e vërteta, por vetëm trillimi i vet dhe “ekspertët” bëhen verbtazi pjesë e llogarive personale politike të kryeministrit! Të rrojë partia e vazhdojmë sipas skenarit", shkruan Bardhi.