TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me deklaratën e mjekut Ilir Allkaj i cili tha se është shkarkuar nga puna. Për Bardhin, ky është një shkarkim politik vetëm për faktin se ai ngriti zërin dhe hodhi poshtë sipas tij propagandën e qeverisë Rama.

Papërgjegjshmëri dhe sjellje kriminale, thekson Bardhi, të shkarkon një mjek në një kohë kur ato janë të domosdoshëm, ndonëse deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me këtë çështje.

"Të shkarkosh me verbëri politike një mjek, në një situatë kur kërkohet mobilizim i të gjithë profesionistëve në pension të shëndetësisë, tregon papërgjegjshmëri dhe sjellje kriminale.

"Shkarkimi politik i raportuar nga mjeku Ilir Allkaj është hakmarrje e Edi Ramës dhe ka vetëm një arsye. Mjeku ngriti zërin dhe tregoi me fakte të vërtetën se qeveria nuk e ka pajisur sistemin shëndetësor me mjetet e duhura pë të mbrojtur mjekët dhe personelin.  Të shkarkosh me verbëri politike një mjek, në një situatë kur kërkohet mobilizim i të gjithë profesionistëve në pension të shëndetësisë, tregon papërgjegjshmëri dhe sjellje kriminale.

Partia Demokratike e dënon këtë akt të hakmarrjes politike të kryeministrit kundër mjekut Ilir Allkja me përvojë 27 vjeçare, të cilin e sulmoi politikisht dhe personalisht.

Mbrojtja e mjekëve me mjetet e duhura është me rëndësi jetike. Ata janë mburoja dhe garancia për shëndetin e qytetarëve", shkruan Bardhi.

Allkaj deklaroi se është shkarkuar, por vijon të shkojë në punë për të mirën e pacientëve, ndonëse kjo deklaratë e tij bie ndesh me atë që ka deklaruar në konferencën e kryedemokratit Basha i cili tha se është vetëkarantinuar se u ka shërbyer tre pacientëve pa veshjen e duhur.