PërjashtimI i Arlind Boshkut dhe Dritan Burgisë nga grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike të Durrësit, pas mbështetjes së tyre kundrejt Ervin Salianjit, shihet nga ish-deputeti Petro Koçi si treguesi i rradhës që PD është në ditët e saj më të zeza. Sipas tij, PD është me keq së në vitin e mbrapshtë të 1997-ës dhe me veprime të tilla po dobëson vetveten dhe po forcon mazhorancën. 

I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report TV, Koçi tha se pretendimi i PD-së që shumë prej përfaqësuesve të saj në nivel vendor kanë bashkëpunuar me dhe për Partinë Socialiste në fushatën zgjedhore të fundit, rrëzon tezën e Sali Berishës që zgjedhjet janë vjedhur.

“PD është në ditët e saj më të zeza. Është në krizë politike, morale dhe organizative. Ka kapërcyer vetëm krizën juridike në rastin e përplasjes Basha-Berisha dhe në të tjerat noton në të njëjtat ujëra. Sot PD është me keq se në 1997, sepse atëherë kishte një bazament të qëndrueshëm elektoral ku njerëzit besonin tek Sali Berisha dhe nuk e ngarkonin me përgjegjësi për zhvillimet deri në 97.

Sot situata është krejt tjetër dhe dëshmon se PD është  në greminë. Pretendimi i PD që shumë prej përfaqësuesve të saj në nivel vendor kanë bashkëpunuar me dhe për PS në fushatën zgjehdore të fundit, rrëzon tezën që zgjedhjet janë vjedhur. Si mund të fitonte një parti, kur një pjesë e saj paska punuar për kundërshtarin politik?  Zgjedhjet nuk kanë qenë perfekte. Ka probleme qe i ka identifikuar edhe OSBE/ODIHR por mbeshtetja elektorale për PD ka qenë në minimumin historik.

Në 2021 kishte iluzione se mund të kishte rotacion politik. Në 2025, edhe militanti më i thekur i PD nuk kishte asnjë shpresë se mund të fitonte PD dhe Berisha zgjedhjet. Këto zhvillime tregojnë që PD po shkurton këmbët e veta. Është një strategji e gabuar. Nuk është në shërbimin e demokracisë që PD të vazhdojë e të dobësojë vetveten.

Shqipëria duhet të ketë një opozitë të dinjitetshme të moralshme e të shëndetshme e jo thjesht të fortë që të bëjë akte dhune e të sulmojë institucionet. Kjo gjuhë force nuk të rrit kredibilitetin në publik. Këto veprime përjashtuese dëmtojnë interesin e opozitës dhe forcojnë mazhorancën” tha ai. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:21
Debati Spiropali–Balla për votimin e Ballukut, Koçi për Report TV: Nuk është rast për përjashtim, duhet trajtuar me qetësi

Mungesa e Elisa Spiropalit në seancën e 12 marsit për votimin mbi kërkesën e SPAK ndaj Belinda Ballukut nuk përbën arsye për alarm politik. Kështu u shpreh Petro Koçi, duke komentuar situatën në emisionin 'Studio Live' në Report TV. Sipas tij, qëndrime të ndryshme brenda një partie janë normale dhe nuk çojnë automatikisht në masa ndëshkuese.

“Një parti politike ka individë që shpesh mendojnë ndryshe nga një vendim ndryshe i partisë. Mos pjesëmarrja në votim mendoj që nuk hyn tek rastet e statutit për përjashtim. Kur nuk voton ndryshimet kushtetuese buxhetin dhe përbërjen e qeverisë, këto janë rastet kur ka përjashtim. Unë mendoj që duhet trajtuar me pjekuri e urtësi. Është e nevojshme që të ketë sqarime. Abstenimi është krejt i logjikshëm dhe nuk ka arsye për alarmizëm politik., u shpreh ai.

Reagimi vjen pasi Taulant Balla deklaroi se për mungesën e Spiropalit do të ketë një vendimmarrje në grupin parlamentar. Nga ana tjetër, vetë Spiropali reagoi publikisht duke kërkuar një diskutim të hapur dhe “troç” brenda grupit.

Ora 18:11
101 deputetë në parlament? Koçi në Report TV: Ide interesante, por ulja drastike rrezikon pluralizmin

Idea e mazhorancës për uljen e numrit të deputetëve në Kuvend në 101 shihet nga Petro Koçi si një ide që “qëndron”, por që kërkon kujdes në zbatim. 

I ftuar në Report TV, Koçi tha se kjo ide gjen mbështetje te publiku, por theksoi se duhet të ruhet përfaqësimi i zonave dhe balanca politike. Për më tepër, ai apeloi për kujdes sepse një ulje drastike e numrit të deputetëve sipas tij mund të kufizojë pluralizmin politik.

“Si ide është shumë interesante dhe gjen mbështetje te publiku. Nëse sot bën një sondazh të gjithë mendojnë që salla e parlamentit dhe përbërja e tij është e keqja e këtij vendi. Duhet të nisemi nga disa kritere, ku duhet të jetë përfaqësimi i krahinave që ka Shqipëria. Deputetët duhet të jenë nga ajo zonë dhe të kenë origjinën, pra parlamenti të jetë përfaqësues.

Duhet të garantojë pluralizëm sepse reduktimi drastik i numrit të deputetëve e limiton mundësinë e pluralizmit, pra përcakton që të kemi dy forca politike. Kjo ide mund t’i interesojë shumë Partisë Demokratike se me këtë rast shmang rrezikun e zëvendësimit të saj nga një opozitë ndryshe.

Saliu ka interes personal sepse ka hedhur idenë e Senatit që në praktikën ndërkombëtare u jep senatorëve imunitet të përjetshëm. Reduktimi mund të bëhet por jo në mënyrë drastike. Largimi i 20 deputetëve mund të jetë shumë racional” tha Koçi në Report TV