Demokratët e Pogradecit, Vlorës dhe Shkodrës iu drejtuan këtë të dielë kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj të degëve përkatëse në këto 3 qytete.

Në Pogadec gara u zhvillua mes dy emrave të njohur në strukturat lokale të kësaj force politike, ndërsa fitues u shpall Oligert Muçollari.

Muçollari kishte përballë Kasëm Gallën I cili ka drejtuar degën e PD-së në Pogradec gjatë viteve 2019-2021, ndërsa akualisht njihet si një nga biznesmenët e zonës.

Muçollari fitoi garën me 247 vota, përkundrejt 224 të Kasëm Gallës. 6 vota u shpallën të pavlefshme.

Zgjedhje u zhvilluan edhe në qytetin e Vlorës. Gara në qytetin bredetar u zhvillua mes Nada Mecorapajt dhe Darling Banushaj.

Mecorapaj fitoi me një diferencë të thellë përballë kundërshtarit të saj, me 496 vota kundrejt 106 të Banushajt.  13 vota ishin të pavlefshme.

Edhe demokratët e Shkodrës iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të degës mes Ardit Qylybylit dhe Gentian Ibros.

Nga numërimi i votave Qylybyli ka fituar garën me 1083 vota, ndërsa kandidati tjetër në garë, Gentian Ibro, ka marrë 687 vota.

38-vjeçari Qylynyli ka mbajtur postin e nënkrybashkiakut të Shkodrës gjatë periudhës 2021-2023, në të cilën në Bashkia Shkodër drejtohej nga Voltana Ademi deri në vitin 2022, kur zgjedhjet e pjesshme në këtë qytet u fituan nga Bardh Spahia. Qylybyli njihet gjithashtu si "krahu i djathtë" politik i Spahisë në kryeqendrën e veriut.

Zgjedhjet në PD e Shkodrës vijnë pas një klime të tensionuar dhe debatesh pasi veç 2 kandidatëve në garë, baza kishte propozuar një listë më të gjerë emrash,

Lidhur me vendimin e PD-së për përjashtimin e 300 anëtarëve nga anëtarësia e PD-së në Shkodër, dy kandidatët shprehën qëndrime të kundërta, ku Ibro tha se ishte pro vendimit, ndërsa Çylybyli kundër.

“Falënderoj gjithë pjesëmarrësit dhe anëtarësinë që kanë marrë pjesë dhe procesi që po bëhet është perfekt. Kjo tregon që gjithë anëtarësia është gati që të forcojmë PD-në dhe ta çojmë në standardet më të larta politike. Mendoj se Kryesia mori vendimin e duhur për 300 anëtarët”, tha mes të tjerash Gentian Ibro.

“Është një ditë shumë e rëndësishme për demokratët e Shkodrës. Votohet për kryetarin e degës Shkodër për 4 vitet e ardhshme. Pjesëmarrja duket shumë e mirë. Kandidatët janë të njohur me strukturat. Kemi pasur vite në struktura. Unë uroj që të fitojë ai që do të vendosë anëtarësia. Unë kam këmbëngulur që lista të ishte ashtu si ka qenë”, tha mes të tjerash Ardit Çylybyli.

Kujtojmë se zgjedhjet në PD-në e Shkodrës dhe Pogradecit vijnë pas procesit të zhvilluar në disa degë lokale të vendit, mes të cilave edhe Durrësi e Berati.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:43
Ardit Qylybyli zgjidhet kryetar i PD-së Shkodër me mbi 1 mijë vota: Mesazhi im është vetëm bashkimi

Ardit Qylybyli është zgjedhur kryetar i degës së Partisë Demokratike në Shkodër, pas përfundimit të procesit të numërimit të votave.

Nga rezultati përfundimtar, Qylybyli ka siguruar 1083 vota, ndërsa kandidati tjetër në garë, Gentian Ibro, ka marrë 687 vota.

“Pikë së pari falënderoj të gjithë anëtarët që morën pjesën në votimin e sotëm, që i dhanë ditës së sotme një motiv më shumë për Partinë Demokratike. Falenderoj dhe kandidatin që kisha përballë që është një mik i imi dhe punën nga nesër e mbrapa do ta bëjmë të gjithë bashkë. Mesazhi është vetëm bashkim dhe vetëm bashkim”,- tha Qylybyli për mediat pas fitores.

Procesi i votimit për kreun e ri të PD Shkodër u zhvillua gjatë kësaj të diele, ndërsa pas mbylljes së votimit nisi menjëherë numërimi, i cili konfirmoi fitoren e Ardit Qylybylit.

38-vjeçari Qylynyli ka mbajtur postin e nënkrybashkiakut të Shkodrës gjatë periudhës 2021-2023, në të cilën në Bashkia Shkodër drejtohej nga Voltana Ademi deri në vitin 2022, kur zgjedhjet e pjesshme në këtë qytet u fituan nga Bardh Spahia. Qylybyli njihet gjithashtu si "krahu i djathtë" politik i Spahisë në kryeqendrën e veriut.

Ora 18:35
Oligert Muçllari zgjidhet kryetar i PD-së në Pogradec, mposht Kasëm Gallën me 23 vota diferencë

Oligert Muçllari është zgjedhur kryetar i degës së Partisë Demokratike në Pogradec, pasi fitoi garën përballë Kasëm Gallës.

Sipas rezultatit të numërimit, Muçllari mori 247 vota, ndërsa Galla 224. Në proces rezultuan edhe 6 vota të pavlefshme.

Pas shpalljes së rezultatit, Muçllari falënderoi anëtarët e PD në Pogradec për mbështetjen.

“Falenderoj të gjithë anëtarët e PD në Pogradec për vlerësimin dhe privilegjin që më dhanë për drejtimin e degës së Pogradecit, por edhe për përgjegjësinë e madhe që na pret në të ardhmen. Unë e shoh këtë si një përgjegjësi të madhe jo vetëm ndaj demokratëve, por edhe ndaj të gjithë qytetarëve të Pogradecit. Ishte një proces dhe një garë dinjitoze. Kam vlerësim maksimal edhe për mikun tim, Kasëm Galla, me të cilin ishim në garë. Me dëshirë dhe angazhim të madh, shpresoj që ne si degë e PD të çojmë përpara misionin tonë, duke e rikthyer bashkinë nën drejtimin e Partisë Demokratike dhe duke e qeverisur me dinjitet, ashtu siç u takon qytetarëve të Pogradecit.”, u shpreh ai.

Ora 13:28
Zgjedhjet në PD Pogradec, biznesmeni Galla përballë ekonomistit Muçllari, Kaso: Proces i qetë, presim rritje të pjesëmarrjes

Në degën e Partisë Demokratike në Pogradec po mbahen zgjedhjet për kryetarin, një garë që zhvillohet mes dy emrave të njohur në strukturat lokale. Njëri nga kandidatët është Kasëm Galla, i cili ka drejtuar degën e PD-së në Pogradec gjatë viteve 2019–2021 dhe aktualisht njihet edhe si një nga biznesmenët e zonës.

Në garë është gjithashtu edhe Oligert Muçllari, aktualisht drejtues i komanduar i degës pas procesit të primareve. Me profesion ekonomist, Muçllari kandidon për herë të parë për drejtimin e degës së Partisë Demokratike në qytet.

Sipas të dhënave, dega e PD në Pogradec numëron rreth 1800  anëtarë, ndërsa në procesin e fundit zgjedhor morën pjesë mbi 600 prej tyre. Gara pritet të tregojë edhe nivelin e mobilizimit të anëtarësisë

Deputeti i PD-së, Ivi Kaso, tha për mediat se procesi ka shkuar ‘përgjithësisht qetë’ me përjashtim të disa problematikave të vogla , të cilat sipas tij lidhen kryesisht me mungesën e ndonjë emri në listë.

“Kjo vjen për shkak të mungesës së rinovimit të teserave të anëtarësisë. Janë problematika të vogla që nuk e prishin atmosferën e qetë që e ka karakterizuar deri tani procesin. Duket një pjesëmarrje e konsiderueshme për një ditë pushimi, në një fundjavë të gjatë. Kemi besim që do të rritet pjesëmarrja. Gara ka dy kandidatë, dy personalitete të rëndësishme të PD-së. Ka pasur interes jo vetëm për të mbështetur këto dy figura, por edhe për të shprehur demokratët vullnetin që çdo lloj problematike apo ndasie që mund të ketë pasur kjo degë dhe degë të tjera të PD-së, të tejkalohet nëpërmjet një procesi të drejtë dhe transparent. Jam besimplotë që do të ketë një pjesëmarrje të krahasueshme me atë të primareve’ tha Kaso.