Burime nga kryeministria për Shqiptarja.com i quajnë të pavërteta këto deklarata dhe sqarojnë se vizita e Olsi Ramës ka qenë tërësisht private dhe jo si përfaqësues i shtetit.
DEKLARATA E PD-SË
“Një delegacion me përfaqësues të biznesit shqiptar, ku bënin pjesë dhe zv-kryeministri dhe Ministri i Bujqësisë, si dhe vëllai i Kryeministrit Rama, ka vizituar së fundmi Izraelin.
Duke i vlerësuar nismat që rrisin marrdhëniet dhe shkëmbimin mes Izraelit dhe Shqipërisë, ne kemi disa pyetje për z.Rama.
A është z.Olsi Rama, përfaqësues i ekzekutivit?
A është vëllai juaj përfaqësues i biznesit, dhe nëse po, a ka lidhje aktiviteti i tij me qeverinë dhe zyrtarët e lartë të delegacionit?
A është Olsi Rama i ftuar, turist, kureshtar i zakonshëm, apo cili është roli i tij në këtë vizitë?
Mbetemi me shpresën se Kryeministri do të bëjë transparencë, ashtu sic ai ka premtuar
REAGON EDHE BERISHA NE FACEBOOK
"Vëllaçko Olsi nuk shkoi vetë por e deshi Peleshi për nënkryetar në Izrael!
Të dashur miq, vëlla Olsi, që jetoi në ekzil në SHBA për shumë vite, muajt e fundit është kthyer vrullshëm në Shqipëri. Ai po çmonton dhe zëvëndëson me shpejtësi një nga një sekserët e Vëllait të madh (në pushtet) dhe po ngjitet me sukses drejt postit të nënkryetarit të PS dhe të zëvëndës kryeministrit në hije në qeveri.
Pas përfundimit me sukses të operacionit të lojrave të fatit, në të cilat Olsi me “Hakmarrjen për Drejtësi “ pritet së shpejti të vendosë monopolin vllazëror, ai po studjon fusha të tjera ndërmjetësimi.
Kështu në delegacionin qeveritar që vizitoi Izraelin, kryetari i delegacionit Niko Peleshi i kërkoi shefit të tij Edi Ramës që në këtë vizitë të parë qeveritare jashtë vendit të kishte si nënkryetar të delegacionit z. Olsi Rama mbasi vetëm ai mund ti bënte zap deputetët anëtarë të delegacionit. Shefi i Nikos e pranoi kërkesën por vetëm me kushtin që biletën e udhëtimit nënkryetari Rama ta priste me paratë e tij. Mirëpo Olsi në Jeruzalem e trajtonte Nikon si vartësin e tij për të mos thënë më keq. Keshtu tani, perveç Edit, kushurirës dhe Bledit në qeveri, në hije dhe vetëm për bizneset do të kemi Vëllaçko Olsin!
Prisni ky është vetëm fillimi!! sb"
BURIME I KRYEMINISTRISE PER SHQIPTARJA.COM
Sipas burimeve nga kryeministria “është totalisht e pavërtetë ajo që thonë nga Pd. Olsi Rama ka marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga ambasada izraelite, ku kanë qene 70 përfaqësues dhe punonjës të sipërmarrjeve shqiptare që janë takuar me kompanitë ngjashme izraelite". Po sipas burimeve nga kryeministria vëllai i kryeministrit Edi Rama, "ka qenë në Izrael për tu njohur me telemedicinën, dhe jo si përfaqësues i shtetit, sic edhe pretendon Partia Demokratike, por i një projekti me të cilin ai po merret. Olsi Rama ka shkuar në Izrael me shpenzimet e tij, duke paguar të gjitha detyrimet e biletës dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë nga aktivitetet ku ishte i pranishëm zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti" shprehen burimet nga kryeministria për Shqiptarja.com
PD: Reagimi i Kryeministrit ishte zhgënjyes
Sot Laura Vorpshi (Pd) e ka komentura prape: "Reagimi i Kryeministrit ishte zhgënjyes. Asnjë transparencë dhe asnjë përgjigje për pyetjet tona. Nga verifikimi, rezulton se Olsi Rama nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë biznes të regjistruar në Shqipëri. Atëherë, edhe një herë po pyesim sot, cili është roli i vëllait të Kryeministrit në të tilla vizita dhe në të tilla delegacione zyrtare jashtë vendit?", përfundon deklarata e PD.
Te axhornuar ora 13:11 28/10/2013
Redaksia online
(sg/mag/shqiptarja.com)