Partia Demokratike ka reaguar lidhur me ndalimin  e ish-deputetit Bardh Spahia dhe militantëve të tjerë të cilët janë ndaluar dhe arrestuar përgjatë ditëve të fundit për dhunën e ushtruar në disa KZAZ në vend. Në një deklaratë zyrtare ajo paralajmëron prokurorinë që të zbatojë ligjin dhe të lirojë menjëherë përfaqësuesit e saj, duke thënë se çdo prokuror që bëhet vegël e Ramës do mbajë përgjegjësi para ligjit.

"Bardh Spahia dhe dhjetëra qytetarë në mbarë vendin janë të burgosur politik të regjimit autokratik kriminal të Edi Ramës, që përndjek kundërshtarët politikë dhe dhunon qytetarët.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike për Qarkun e Shkodrës, Bardh Spahia, prej gati 48 orësh, mbahet i burgosur, pa asnjë fakt që ta implikojë atë në shkelje të ligjit.

Paralajmërojmë prokurorinë të zbatojë ligjin dhe të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të përfaqësuesit të opozitës. Ky është një rast që prokuroria të mos i nënshtrohet urdhrit politik të Edi Ramës. Çdo prokuror apo gjyqtar që, në vend të ligjit, bëhet vegël qorre e regjimit në ikje të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi personale për shkeljen e ligjit", thuhet në reagimin e PD.