Në një prononcim për median nga selia PD, mesditën e sotme deputeti Gent Strazimiri tha se këto shkarkime po ndodhin pa asnjë arsye ligjore dhe se “zullumqarët kërkojnë të rilindin Kadri Hazbiun dhe Sigurimin e Shtetit”
“Ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e rinj të policisë po dështojnë të paraqesin motive apo arsye ligjore për vendimet e tyre. Dhe kjo për faktin e thjeshtë; Sepse nuk ka!!! “
Sipas Strazimirit personat që po shkarkohen çdo ditë janë “ata “heronj pa fjalë”, të cilët Partia Demokratike dhe Sali Berisha i gjeti në Polici në vitin 2005, u dha besimin dhe mbështetjen e duhur, dhe ata arritën të nxjerrin Shqipërinë nga hartat e trafikut të drogës dhe klandestinëve. Janë ata që e gjetën Adriatikun, një autostradë skafesh e prostitutash dhe e rikthyen në një det të kthjellët. Janë ata që Shqipërisë i bënë nder, e për shkak te përkushtimit të tyre sot shqiptarët qarkullojnë pa viza si qytetarë të denjë të një Evrope njerëzish të lirë.”
“Ju ftoj të kërkoni në Google emrat e tyre,- tha më tej Strazimiri- dhe do të gjeni që janë ata që kanë pritur e shoqëruar si të barabartë gjatë këtyre 8 viteve, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, Drejtorin e Policisë Kriminale Britanike SOKA, të asaj gjermane BundeskriminalAmt, të policisë Italiane e të Karabinierëve, ata që janë në vijën e parë të luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.”
Cilat janë kriteret i rimarrjes apo promovimit të “ekipit te ri”...?- ngriti pyetjen Strazimi, duke i dhënë dhe përgjigjen “Të ketë mbaruar shkollën e Sigurimit të Shtetit, të ketë sa më shumë bëma kundër opozitës kryesisht në periudhën ’97-‘2005.”
”Për efekt barazie në trajtim dhe vlerësim, ju ftoj të kërkoni gjithashtu në Google “emrat e rinj”... do t’i gjeni protagoniste të betejave dhe sulmeve më të egra jo në luftë kundër krimit, por kundër opozitës.
Kush beson se “nën drejtimin e dishepujve të Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut” policia shqiptare bëhet me evropiane, qoftë ky shqiptar apo i huaj, do t’i duhet të pranojë edhe faktin që Gjermania e sotme do të ishte edhe me demokratike dhe e fuqishme nëse drejtimin e pasluftës në të do ta merrte në dorë përsëri Gestapo!”-
“Partia Demokratike dhe opozita shqiptare, duke shprehur falënderimin dhe mirënjohjen për të gjithë efektivat e Policisë së Shtetit, që sot ndodhen nën një sulm të paprecedent anti-ligjor, siguron opinionin publik dhe zullumqarët që kërkojnë të rilindin Kadri Hazbiun dhe Sigurimin e Shtetit, se ne asnjë rast, asnjë hap prapa ky vend nuk do të sprapset në rezultatet dhe standardet e arritura me aq mund e djersë, e herë - herë edhe me gjak.
Dhe për këtë garancia jemi ne!!! Ta dinë mirë edhe zullumqarët!”- mbylli deklaratën e tij Strazimiri.
Një ditë më parë, Për herë të parë, si opozitë, Partia Demokartike iu drejtua Prokurorisë së Përgjithshme me një kallzim penal për ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri dhe për kryeministrin Edi Rama, në lidhje me emërimet e reja në kupolën e Policisë së Shtetit.
Partia Demokratike i është drejtuar dje Prokurorisë së Përgjithshme me një kallzim penal me e akuzën e shpërdorimit të detyrës nga ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri dhe kryeministrit Edi Rama. Kjo akuzë lidhet me emërimet që bëri ministria e Brendshme në detyrat më të larta të Policisë së Shtetit. Deputetët e saj, Oerd Bylykbashi dhe Arben Ristani depozituan në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal, me akuzën e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim.
(Suela Gera/ Shqiptarja.com)