Një vit pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025, Ervin Salianji ka shpërthyer me kritika ndaj drejtimit të Partisë Demokratike, duke akuzuar Sali Berishën për mungesë reflektimi dhe përgjegjësie. Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji shkruan se pas humbjes historike të PD-së nuk pati as analizë reale, as projekt për të ardhmen dhe as ndryshim të kursit politik, sidomos pas faktit që rezultatet e një viti më parë, ishin më të dobëtat të shënjuara në historinë e PD-së që nga viti 1997.
“1 vit nga humbja e Zgjedhjeve të Përgjithshme 2025. Asnjë reflektim, asnjë analizë reale. Asnjë përgjegjësi e marrë. Asnjë projekt i qartë për të ardhmen. Vetëm heshtje dhe vazhdimësi në të njëjtën rrugë që na kanë çuar drejt humbjeve prej 13 vitesh.
Përtej shkeljeve dhe abuzimeve të Qeverisë së Edi Ramës, të evidentuara nga OSBE/ODIHR p, mbetet i rëndë fakti se pjesëmarrja e zgjedhjeve ishte më e ulëta në historinë e tranzicionit, pavarësisht përfshirjes së diasporës… dhe më e keqja… zgjedhjet e 11 Majit shënuar rezultatin më të dobët elektoral të Partisë Demokratike në historinë e saj. Më i dobët se Viti 1997. Asgjë e keqe nuk vjen vetëm për keq. Humbja duhet të shënonte një fillimi të, për t’i ngritur kokën demokratëve.
Për të ndërtuar rrugën e fitores duke marrë përgjegjësi, duke u hapur, duke u modernizuar, duke mobilizuar, duke u bashkuar. Por Partia Demokratike po shkon drejt zgjedhjeve të ardhshme me të njëjtën frymë, me të njëjtit njerëz, të njëjtën mendësi që ka prodhuar dhe do të prodhojnë humbje. Drejtuesit duhet të kuptojnë një të vërtetë të thjeshtë: demokratët në çdo cep të Shqipërisë dhe jashtë saj. ndjejnë dhimbje sa herë që Partia Demokratike humb.
Kush e ka përgjegjësinë për humbjet e PD? Për të njëjtët njerëz, të njëjtën strategji që i ka lënë demokratët rrugëve prej 13 vitesh? Partia Demokratike e Shqipërisë mund dhe duhet të rikthehet si një parti e madhe, një parti masash, një parti që prodhon ide, energji dhe shpresë. Jo një parti e mbyllur rreth individëve, por një forcë e hapur për çdo demokrat që do të kontribuojë.
Rruga që po ndiqet sot, është rruga e humbjeve të djeshme dhe e shuarjes së Partisë Demokratike. PD dhe demokratët nuk e meritojnë. Ne nuk ndalemi deri sa kjo e vërtetë të gjej vend në mendjet e të gjithë demokratëve dhe ta kthejmë PD në rrugën e fitores" shkruan ai në rrjetet sociale
Komente











