TIRANË - Një ditë pasi kreu i KQZ Ilirjan Celibashi njoftoi dakordësinë me PD e PS për të ndryshuar Kodin Zgjedhor në 3 pika që lidhen me votën e diasporës, demokratët kanë bërë disa propozime shtesë.
PD kërkon një ndryshim të vlefshëm vetëm për zgjedhjet e 11 majit, përmes një dispozite tranzitore, që lidhet me mundësinë e emigrantëve, për të votuar edhe me ID ose Pasaporta të huaja.
Por jo vetëm kaq. Zgjatja e afatit të përdorimit të ID të skaduara, PD kërkon të caktohet në Kod dhe jo me akt normativ të qeverisë, sikurse një ditë më parë kërkoi kreu i KQZ Ilirjan Celibashi.
"Dispozitë tranzitore “1. Vetëm për zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2025, dokumente të vlefshme identifikimi, me qëllim mundësimin për të votuar, zgjedhësve brenda dhe jashtë vendit, do të konsiderohen:
a) Pasaportë ose letënjoftim/ kartë identiteti biometrik, brenda afatit të vlefshmërisë, të lëshuar nga Republika e Shqipërisë,
b) Pasaportë ose letërnjoftim/ kartë identiteti biometrik, pavarësisht afatit të vlefshmërisë, të lëshuar nga Republika e Shqipërisë,
c) Pasaportë ose letërnjoftim/ kartë identiteti biometrik, brenda afatit të vlefshmërisë të lëshuar nga vendet e Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe cdo vend tjetër”-thuhet në propozimin e depozituar zyrtarisht në Kuvend këtë të martë dhe i firmosur nga 11 deputetë të PD, mes të cilëve edhe vetë Sali Berisha.
PD evidenton në relacionin shoqërues se janë rreth 600 mijë qytetarë me një ID të skaduar.
“Raporti paraprak NAM (Needs Assessment Mission) i OSBE-ODIHR, për zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025, (raport që mban datat 3 dhe 6 Dhjetor 2024), evidenton rreth 600.000 mijë zgjedhës me letërnjoftime të skaduara, e dhënë kjo e konfirmuar publikisht edhe nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Ky shqetësim përfshin shtetasit shqiptarë me banim brenda dhe jashtë vendit, të cilët mund t’a kenë më të vështirë sesa shtetasit brenda vendit për të rinovuar dokumentat e identifikimit, dhe rrjedhimisht e gjithë kjo kategori zgjedhësish rrezikon seriozisht të mos jenë në gjëndje të votojnë në 11 maj 2025, nëse nuk amendohet Kodi Zgjedhor”, thuhet në relacion.
Sa i takon propozimit për të votuar me pasaporta të huaj, PD sqaron se ka të bëjë me ata zgjedhës që janë larguar nga Shqipëria para fillimit të pajisjes me dokumente biometrike, duke nisur nga janari i 2009, apo që kanë lindur jashtë territorit të Republikës por që kanë fituar të drejtën e votës.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë