TIRANE - Partia Demokratike ka vijuar akuzat edhe ditën e sotme ndaj qeverisë lidhur me atentatet e ndodhura në Tiranë dy ditë më parë ku mbeti i vrarë një person dhe të plagosur 4 të tjerë.

Në një dalje për mediat Kryetari Grupit Parlamentar i PD, Edi Paloka u shpreh se faktet e lidhjes së Ministrit të Brendshëm me grupin kriminal, kanë tronditur mbarë opinionin publik, ndërsa vetëm Edi Rama hesht prej dy ditësh.

Sipas Palokës, Kryeministri nuk mban përgjegjësi, porlejon aktivitetin e bandës, dukei i ofruar krimit favore. Madje jo vetëm kaq, por Paloka shprehet se qeveria shqiptare dezinformon dhe zhduk provat për interesa të saj.

Më poshtë deklarata për mediat e Edi Palokës:

Faktet tronditëse, të bëra publike, tregojnë qartë se banda e armatosur që terrorizoi Tiranën në përplasje të përgjakshme dy netë më parë, është e lidhur me qeverinë dhe ushtron aktivitetin kriminal me dijeni dhe mbrojtjen e saj. Oficeri i policisë është në shërbim të bandës. Anëtari i bandës hyn dhe del nga zyra qendrore e Partisë Socialiste. Të gjithë strukturat e qeverisë ishin dje në dispozicion të kreut të bandës, që nga shërbimet spitalore e deri tek shoqërimi i tij në banesë. Ka të dhëna shumë shqetësuese, se policia ka kryer kontrolle në banesat e biznesmenëve, të cilët janë gjobitur nga banda kriminale. Pra Ministri i Brendshëm e di që miku i tij vë gjoba, dhe ai nuk bën asgjë për të mbrojtur viktimat, por u sulet viktimave, për interesat e bandës. Pati dje dezinformim të vazhdueshëm dhe mungesë transparence, në favor të bandës. Këto ngjarje të rënda kanë ndodhur në 24 orët e fundit, që kanë tronditur mbarë opinionin publik, dhe gjithë qytetarët e vendit. Vetëm Edi Rama hesht. Asnjë fjalë, asnjë reagim. Ky aktivitet kriminal ndodh sigurisht në dijeninë e tij të plotë. Rama ka përfituar nga shërbimet e bandës gjatë fushatës zgjedhore, në blerjen, e në marrjen me forcë të votave. Tani, ai po i kthen bandës favoret, duke i ofruar shërbimet e tij. E lejon të vërë gjoba e të terrorizojë biznesmenët e qytetarët. U jep oficerë policie në dispozicion për t’i dhënë siguri dhe mbrojtje. Kujdeset për bandën në cdo drejtim që armët të mos gjenden, provat të mos gjenden, që kreu i saj të mos qëndrojë më shumë se disa minuta në zyrat e Drejtorisë së Policisë. Këto janë të vërtetat e kësaj qeveria. Kështu sundon oligarkia në pushtet. Me bandat, nga bandat për bandat.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)