TIRANË – PD-ja i ka kërkuar sot Kryeministrit Rama të japë një datë për marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë në BE.
 
Sipas saj, Rama nuk e jep këtë datë sepse synon ta bllokojë sërish statusin, që ai të mos njihet si meritë e qeverisë “Berisha”. Dhe pikërisht, kjo është arsyeja pse kreu I Qeverisë ka nisur spastrimin e administratës dhe ka prishur konsensusin “Për nëpunësin civil.”
 
Deputeti demokrat Aldo Bumçi ka deklaruar nga selia e PD-së se “z. Rama na deklaroi se për Kryeministrin nuk është e rëndësishme data kur Shqipëria mund të marrë statusin si vend kandidat për në BE.

Z. Rama, data është e rëndësishme sepse ne i përmbushëm të gjithë detyrimet që iu vunë Shqipërisë, dhe qeveria jote e ka këtë dhuratë mbi tavolinë.

Prandaj nuk do që statusi të merret këtë vit sepse do t’i njihet si meritë Qeverisjes së Partisë Demokratike.

Prandaj shkelmove konsensusin e arritur për ligjin e shërbimit civil dhe ke ndërmarrë fushatën e spastrimeve në administratë, sepse do të shtysh datën e marrjes se statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

E vetmja gjë që ka mbetur për ty zoti Rama, është t’u japësh shqiptarëve datën, kur ti do ta marrësh seriozisht integrimin europian të Shqipërisë." - përfundoi Bumçi.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)