Në një prononcim për mediat, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, tha se "me shkarkimin pas krahëve të Drejtorit të Teatrit të Operës dhe Baletit, maestro Zhani Cikos, Kryeministri i ka vënë kazmën kontributit të palodhshëm të një jete të tërë për operën, muzikën dhe artin".
Ajo tha se Zhani Ciko është një shërbëtor i përulur i kulturës tonë kombëtare, dhe është një nder për vendin tonë që ai drejtonte Teatrin e Operës dhe Baletit.
"Me një vendim të errët, me prepotencë të pashoqe, Edi Rama largoi nga detyra maestron e famshëm, pa pasur guximin t’i komunikonte atij as dhe dy fjalë. Asnjë falënderim për mundin e dhënë për artin dhe kulturën e vendit", u shpreh zëdhënësja e selisë blu.
Vorpsi tha se 'Zhani Ciko po përgatitej për koncertin e djeshëm të bamirësisë, dhe nuk ishte në dijeni të vendimit që Kryeministri kishte marrë ndërkohë. Ai u lajmërua nga miqtë e tij në telefon, të cilët kishin dëgjuar në media për shkarkimin e tij.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)