TIRANE-Ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku akuzon qeverinë se gënjen për pagat e luftës dhe garancinë sovrane vetëm për të vjedhur taksat e qytetarëve. Shkakun e dështimit të menaxhimit të situatës dhe sipas saj, krizës ekonomike, Tabaku e shikon vetëm te qeveria Rama.

"Turizmi është një nga sektorët që do goditet më fortë nga pandemia ekonomike, por jo i vetmi pasi rënia ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë 9% e PBB-së.

Deri përpara pandemisë në vendin tonë mbylleshin 50 biznese në ditë. Konsumi kish ranë në nivele alarmante ndërkohë që taksat janë rritur në 7 buxhete të qeverisë Rama. Praktikisht bizneset sot paguajnë taksat më të larta në rajon.

Pritet të ketë rënie deri në 2 pikë përqindje si pasojë e kësaj krize. Konsumi do të goditet rëndë ndërsa familjet që ushqehen me 5.5$ në ditë do të kalojnë 40% e konstatuar nga Banka Botërore.

Ramavirusi është shkaktari i kësaj situate dhe arsyeja pas dështimit. Ai gënjen për pagat e luftës, gënjen për garancinë sovrane vetëm për të vjedhur taksat e qytetarëve. Sa më shumë rritet numri i të papunëve dhe bizneset e falimentuara aq më shumë altoparlantët e propagandës do nxjerrin gënjeshtra" akuzon Tabaku.