Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar paketën fiskale 2027, duke deklaruar se lehtësimet në tatimin mbi pagat nuk përfitojnë të gjitha familjet njësoj, ndërsa ndryshimet në skemën e TVSH-së do të shtojnë kostot për biznesin e vogël.
Në “Këndin e Fundjavës”, Tabaku tha se një familje me dy të ardhura nga 100 mijë lekë bruto secila nuk përfiton asnjë ulje të tatimit mbi pagën, ndërsa një i punësuar me pagë 300 mijë lekë bruto përfiton rreth 10 mijë lekë ulje tatimi në muaj.
Sipas saj, kjo mënyrë e shpërndarjes së lehtësimeve nuk mbështet shtresën e mesme dhe familjet me të ardhura më të ulëta.
“Po dy prindërit që punojnë çdo ditë dhe mezi mbulojnë shpenzimet e shtëpisë, ku janë në këtë llogari?”, pyeti ajo.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputetja lidhet me uljen e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Tabaku tha se nga ky ndryshim pritet të preken rreth 17.500 biznese, ndërsa të ardhurat shtesë për buxhetin parashikohen në 4,5 miliardë lekë.
Ajo argumentoi se xhiroja vjetore e një biznesi nuk përfaqëson fitimin e tij, pasi nga këto të ardhura paguhen furnitorët, qiraja, punonjësit dhe detyrimet e tjera. Sipas Tabakut, përfshirja në skemën e TVSH-së do të sjellë edhe kosto shtesë për kontabilitetin dhe administrimin e aktivitetit.
Deputetja komentoi edhe uljen e TVSH-së për ushqimet bazë në 6%, duke ngritur pikëpyetje mbi përfitimin real për konsumatorët. Sipas saj, rritja e TVSH-së për produktet e tjera në 21%, kostot e transportit dhe përqendrimi i tregut mund të ndikojnë që ulja të mos reflektohet plotësisht te çmimet.
Tabaku u ndal edhe te situata ekonomike e pensionistëve, duke theksuar se shpenzimet për ushqime dhe faturat bazë zënë pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre.
Në përfundim, deputetja e PD-së e cilësoi paketën si një politikë fiskale që, sipas saj, favorizon një pjesë të vogël të qytetarëve dhe kërkoi largimin e kryeministrit Edi Rama.






Komente
Komento