TIRANE-Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi i është përgjigjur negativisht ftesës së nënkryetares së Kuvendit, Vasilika Hysi që i bëri thirrje opozitës që të hënën, në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar, të vijë e të votojë dy vendime të rëndësishme: ligjin për Magjistraturën dhe Kodin Rrugor. Bylykbashi i kujton Hysit se këto probleme që po shfaqen sot në sistemin e drejtësisë, opozita i kishte parashikuar që para dy viteve, ndërsa paralajmëron se qëndrimi i PD nuk do të ndryshojë për ligjin e magjistratëve.
Më 21 korrik, para dy viteve, ne t’i patëm thënë e stërthënë këto konkluzione për reformën në drejtësi, gjatë mbledhjeve të komisionit. Ty, Vasilikë t’u deshën dy vite që bashkë me Ulsiun, t’i kuptonit këto. Ti dhe kolegët e tu, duhet të merrni përgjegjësinë për rrëmujën katastrofale në drejtësi, që keni shkaktuar me mendjelehtësinë tuaj dhe duke injoruar paralajmërimet e opozitës.
Vasilikë, nuk mund t’i kërkosh opozitës të jetë e përgjegjshme e të votojë që të kompletojë sistemin e kapjes politike të drejtësisë prej jush, e të bëhet palë. Meqë nuk ju funksionoi mekanizmi i kapjes afatgjatë tek Magjistratura, kërkoni që t’ju ndihmojë opozita?! A je e përgjegjshme për këtë kërkesë Vasilikë?!
Oerd Bylykbashi
Komente

