Akti normativ për tubimet, pjesë e paketës anti-dhunë të qeverisë, është bërë objekt debatesh në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Gjatë shqyrtimit të tij, përfaqësuesit e opozitës dhe mazhorancës kanë shkëmbyer akuza lidhur me dhunën në protesta, trajtimin e protestuesve nga policia dhe përgjegjësinë e opozitës për aktet vandale.
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, e cilësoi aktin normativ antikushtetues, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor masat ndëshkuese për të kufizuar protestat kundër qeverisë. Ai solli në vëmendje edhe rastin e një vajze të re, e cila, sipas tij, ishte ankuar për një gjobë prej 5 milionë lekësh pas pjesëmarrjes në protestë.
Bylykbashi akuzoi gjithashtu policinë për arrestime përtej afateve ligjore dhe ushtrim dhune ndaj protestuesve, duke paralajmëruar se çështja do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Jemi përpara akteve që qartazi janë antikushtetuese. Rama nuk i përballon dot këto protesta, kemi pasqyrën e gjendjes së brendshme të kryeministrit në këto akte. Si i duron dot ai protestuesit kundër tij? Ju i arrestoni, i mbani përtej afatit ligjor, i vendosni edhe gjobë.
Pasojë e aktit tuaj normativ, një vajzë e re ankohej dhe thoshte se protestoj sepse prindërit e mi kanë pensione skandaloze dhe më kanë vënë gjobë 5-milionëshe dhe nuk e paguaj dot.
Çfarë bëni ju? I arrestoni, i rrihni si në kohën e komunizmit, edhe në furgona, edhe u thoni policëve: Thyeni brinjët, se do të merrni edhe 2.500 euro. Dhe përballë kësaj, urgjenca e Ramës për të mbrojtur veten e vet. Debati do të bëhet në Gjykatën Kushtetuese, se këtu nuk bëhet dot, pas asaj që pamë te Gjiri i Lalzit”, tha Bylykbashi.
Nga ana tjetër, deputetja e opozitës, Besa Spaho, foli për atë që e cilësoi si normalizim të dhunës në vend, duke përmendur edhe rastin e hedhjes sipas saj të një personi në Lanë.
“Jemi gjendur në pushtetin e dhunës, opozita duhet ta dijë, sepse edhe hedhja në Lanë është dhunë. Ajo që më bën përshtypje është relativizimi i kësaj dhune”, tha Besa Spaho.
Ndërkohë, deputeti socialist Erjo Mile publikoi në Komisionin e Ligjeve një regjistrim audio të një qytetareje, e cila shprehte shqetësimin për dhunën gjatë protestave dhe i kërkonte Partisë Demokratike të distancohej nga aktet e dhunshme. Në mesazhin e transmetuar, qytetarja theksonte se policia është institucion shtetëror dhe jo pjesë e një force politike.
“Kanë ndodhur protesta të dhunshme në të gjithë Europën. Dhe opozita atje është distancuar nga dhuna e përdorur, edhe ndaj Policisë. Policia nuk është e një partie politike, por e shtetit. E vetmja opozitë që nuk është distancuar është PD-ja. Fakti që ju jeni në krah të dhunës është për turpin e republikës sonë. Kur protesta ishte paqësore, edhe ju vetë jeni koshientë që kishte më shumë njerëz. Mos dëgjoni vetëm zhurmën e asaj pakice, dëgjoni edhe shumicën e heshtur”, tha mes të tjerash Erjo Mile.
Në të njëjtën linjë me qëndrimin e mazhorancës, deputeti socialist Ulsi Manja deklaroi se protestat paqësore janë të ligjshme, por sipas tij, tubimet e fundit janë shoqëruar me akte të organizuara dhune nga grupe personash të maskuar. Ai përmendi përdorimin e mjeteve të rrezikshme ndaj punonjësve të policisë, dëmtimin e bankomateve dhe vështirësitë e krijuara për qytetarët në tërheqjen e parave.
Manja u shpreh gjithashtu se institucionet e drejtësisë duhet të hetojnë çdo rast të mundshëm të përdorimit joproporcional të forcës nga policia, por theksoi se dhuna gjatë protestave ka prekur edhe institucionet shtetërore dhe sistemin bankar.
“Ka pasur protesta dhe do të ketë, por është fakt që Shqipëria u gjend në valën e një dhune që nuk ka lidhje fare me protestuesit që duan të protestojnë paqësisht në këtë vend. Dhunë e organizuar nga grupe personash me maska, dhunë deri në përdorimin e mjeteve të rrezikshme ndaj jetës së policëve, dhe këtu ju ftoj të distancoheni nga termi bandë për punonjësit e policisë. Institucionet duhet të hetojnë edhe disproporcionalitetin e dhunës, nëse ka pasur, por ky vend ka institucione drejtësie. Kjo valë dhune nuk kurseu as policinë, as shtetin, u vu në vështirësi sistemi bankar, u thyen bankomate dhe njerëzit as nuk tërhiqnin dot lekë për nevojat e ditës”, tha mes të tjerash Manja.











Komente
Komento