Dy deputetë të PD, Edi Paloka dhe Gent Strazimi ishin ditën e djeshme në Lezhë, ku janë takuar me një numër personash me precedentë kriminalë.

Burime të sigurta, të pranishëm në këtë takim, treguan se mesazhi i tyre ka qenë i qartë:

“Shpërtheni dyert e Parlamentit dhe mos u shqetësoni për gazin lotsjellës.

Këtë herë do të keni maska kundragas”.

Në shkëmbim të dhunës që do të krijojnë, këta persona do të shpërblehen bujarisht nga ana e PD.

Në përfundim të protestës së ditës së shtunë, Kryemadhi dhe Basha dhanë një deklaratë sa ogurzezë, aq edhe të paqartë: “Nuk keni parë asgjë akoma!”.

Mesa duket, ajo që nuk kemi parë akoma, në planin e PD është shpërthimi i dyerve të Parlamentit, një akt i paprecedent dhune, me të cilin opozita shpreson të zhysë përfundimisht vendin në kaos.

Ndërkohë, mësohet se bllokimi i rrugës së kryeministrit ditën e djeshme në Lezhë, është bërë gjithashtu me urdhër të PD, nga njerëz të biznesmenit Uldedaj, i njohur për lidhjet e afërta me demokratët.(TemA)

Në një reagim në rrjetin social Facebook, deputeti demokrat Gent Strazimiri, thotë se ditën e djeshme nuk ka qenë në Lezhë dhe se këtë e dëshmojnë sipas tij, angazhimet dhe aktivitetet politike që kanë ndjekur, të dëshmuara edhe nga transmetimet televizive.

"Mjero! Ditën e djeshme, Gent Strazimiri ka qenë gjithë ditën live para kamerave në Tiranë, fillimisht në gjykatë në mbështetje të "personave problematikë", kryesisht invalidë, që "prishën imazhin e vendit", që domethënë syfetin tënd. E më tej në konferencë shtypi po ashtu "live", për t'u treguar shqiptarëve syfetin tënd me fjalët e "Zërit të Amerikës"...
Edhe po të kisha qenë në Lezhë shoku Mjerim, do ta kisha të pamundur të takoja elementë kriminalë sepse i ka rekrutuar të gjithë qevërria jote si "rilindas", siç e denoncon edhe "Zëri i Amerikës" përmes publikimit të dosjes 339! Bëj gati paratë e shpifjes!!!", shkruan Strazimiri.

Edhe Edi Paloka e ka përgënjeshtruar lajmin:  ''As une as Strazimiri dje nuk kemi levizur nga Tirana, madje kemi qenë dhe në sy të publikut dhe kamerave gjithë ditën. Po me sa duket tani që do jemi dhe pa rroga, do na vijnë indirekt në ndihmë qelbësit e Ramës''' shkruan Paloka ne Facebook.