TIRANË, 14 Nëntor/ATSH- I. Vata/-Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, ka dalë sot në një deklaratë për mediat për të analizuar projekt- buxhetin 2015 dhe sipas tij, nga ky projekt buxhet përfitojnë vetëm qeveritarët.
"Analiza e buxheti 2015 tregon se ndryshe nga deklarimet publike, qeveria po rrit taksat për luksin e saj. Buxheti shkon në 31.5% të PBB-së duke shënuar një rritje shpenzimesh me 3.2% të PBB-së, kryesisht për qellime inproduktive, pasi investimet publike dhe shpenzime të tjera të rëndësishme ulen. Kështu, barra e shtetit në ekonomi rritet me rreth 500 milionë dollarë, ndërsa investimet publike ulen ndjeshëm ndaj viteve të mëparshme kur ivestohej 7% e PBB në një buxhet që ishte 28% të PBB-së ose ¼ e tij", tha Shehu.
Ai theksoi se "buxheti 2015 rëndon qytetarët dhe bizneset si dhe ul punësimin. Barra fiskale rritet me 160 milionë dollarë, 60% e shtesës së PBB konsumohet nga qeveria dhe investimet publike mbeten 67 miliardë lekë sa në 2014. Në terma reale ato ulen nga 4.8% në 4.5% të PBB, ndërsa investimet në infrastrukturë ulen rreth 3 miliardë lekë". /a.ke/










