TIRANË, 17 Nëntor/ATSH/-Partia Demokratike ka kundërshtuar buxhetin 2015, si përjashtues për investimet dhe infrastrukturën kryesisht në qarqet Shkodër, Dibër, Elbasan, në boshtin e Jugut dhe rrugën e Arbrit, duke e konsideruar shpërndarjen e fondeve pa sens dhe larg interesave të qytetarëve.
Deklarata erdhi nga deputetët e Partisë Demokratike te Komsionit të Ekonomisë dhe Infrastrukturës, që diskutuan sot për prirjet e buxhetit të qeverisë, duke analizuar se vitin që vjen investimet në infrastrukturë do të mungojnë pothuajse fare.
Deputetët e Komsionit të Ekonomisë dhe Infrastrukturës kanë konstatuar se buxheti nuk parashikon investime për infrastrukturën apo projekte në shumë qarqe dhe se qëndron larg nevojave dhe interesave të qytetarëve. Deputeti Sherefedin Shehu u shpreh se eshte "buxhet për kozmetikë, jo për zhvillim të ekonomisë', duke argumentuar se ai eshte barrë e rëndë mbi biznesin dhe qytetarët. "Ata do të paguajnë më shumë në këtë buxhet. E dyta është që e gjithë rritja ekonomike do të shkojë në masën më të madhe për konsum parazitar të qeverisë".
"Në këtë kontekst, shqetësimi më i madh në këtë buxhet është që qytetarët do të paguajnë më shumë dhe nuk do të marrin asgjë. Këtu e kam fjalën tek investimet publike, pasi ato janë zëri kryesor që tregon përfitime për të gjithë qytetarë. Në këtë këndvështrim dua të nënvizoj një aspekt i cili është shumë i rëndësishëm. Edhe FMN që njihet për konservatorizëm, ka arritur në përfundimin që vetëm investimet e mëdha në infrastrukturë mund të garantojnë rikthimin në rritjen ekonomike për vendet që janë në krizë. FMN theksoi në tetor rëndësinë e rritjes së investimeve dhe fokusimin e tyre në infrastrukturë", tha Shehu./i.v//a.ke/








