TIRANË, 23 Shkurt/ATSH/-Partia Demokratike ka kërkuar ndjekje penale për kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkembi, pasi sipas saj, ka abuzuar me fondet që janë investuar në këtë qytet dhe se dorëheqja është për t'i shpëtuar procedimit penal.
Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, në një deklaratë për mediat të hënën pasdite u shpreh se "Nëse duhej t'i shpëtonte procedimit penal për të cilin e kishte kërcënuar kryeministri, duke sharë qeverinë e mëparshme, kjo është çështje e tij. Qytetarët e Pogradecit e dinë të vërtetën, e dinë shumë mirë dhe i kanë prekur nga afër projektet e mbështetura nga qeveria e demokratëve. Kryetari në ikje i Bashkisë së Pogradecit zgjodhi ta mbyllë karrierën duke gënjyer publikisht. Në raste të tilla, një politikan, një i zgjedhur, duhet të reflektojë e të tregojë me shumë respekt për të vërtetën, por jo të thotë se nuk ka marrë asnjë leke investime gjatë qeverisjes së demokratëve në periudhën 2006-2013"./i.v/ /a.ke/