PD- Tahirit:  Kamera kishte edhe tek
 vrasja e Santos, por ende pa autor
PDF/Projekt-ligji për sigurinë publike

PD- Tahirit:  Kamera kishte edhe tek<br /> vrasja e Santos, por ende pa autor<br />PDF/Projekt-ligji për sigurinë publike
TIRANË - Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri është kundërshtuar nga demokratët në Komisionin e Sigurisë, teksa prezantoi projektligjin për masat shtesë të sigurisë publike.
 
Sipas ministrit, është e domosdoshme që veç punës së policisë së Shtetit në parandalimin e krimeve, të ketë sensibilizim edhe nga ana e qytetarëve dhe bizneseve duke u pajisur me masa shtesë, siç janë edhe kamerat e sigurisë që parashikon projektligji.
 
Por deputetët e opozitës në këtë komision thanë se ligji është tregues se rendi ka dështuar dhe se parandalimi i ngjarjeve kriminale është në nivelin zero. Sipas tyre, vendosja e kamerave të sigurisë nuk është zgjidhje, pasi edhe në rastet e vrasjes së bankierit Artan Santo, grabitjen e një banke tek Stacioni i Trenit, apo rrëmbimin e Enver Stafukës, filmimi që ju bë autorëve nga kamerat ende nuk ka çuar në zbulimin dhe arrestimin e tyre nga ana e policisë.

Por pavarësisht kritikave, deputeti i Partisë Demokratike Asllan Dogjani votoi pro projektligjit, ndërsa Aqif Rakipi nga PDIU-ja votoi kundër draftit i cili u kaloi në parim në këtë komision parlamentar. 

Debatet
Tahiri: Banka që u grabit te Stacioni i Trenit nuk kishte cilësi kamerash sigurie që të zbardhnin ngjarjen

Flamur Noka: Vrasësit ikin në drejtim të paditur. Kaq vrasje sa thotë ministri kanë ndodhur vetëm në një muaj. Vrasja e Artan Santos dukej qartë nga kamerat e sigurisë, por nuk u zbulua. Stafuka u rrëmbyer para kamerave në Fushë-Krujë  dhe zbulueshmëria zero

Asllan Dogjani: Do ishim dakord për çdo ligj që parandalon krimin. Është pa sens marrja e masave të tilla nëse ka rezultate të tilla. Por nëse ka rezultate te larta, pse duhen kamerat? Pse nuk e zbuluat vrasjen e Santos e filmuar me kamera?

Masat shtesë janë për të përfituar dikush. Dyshoj që kjo nesër mund të përdoret nga policia si mjet presioni. Shkel të drejtën e privatësisë. Kamerat shkelin të drejtat e njeriut.
 
Krimi luftohet duke e kthyer policinë në objektin e punës.
Po për kanabisin do vini kamera ?

Arben Çuko: Në botë të gjithë e përdorin këtë ligj. Por duhet të kishte ardhur me kohë

Noka: Ky projektligj nuk rregullon asgjë. Ministri i lidhur me krimin

Pjerin Ndreu: Mos banalizoni argumentet: Gjatë vitit 2009 - 2013 krimi ishte në ngjitje. Ballafaqojmë statistikat

Noka: INSTATI i hedh në kosh statistikat tuaja.

Tahiri: Sfidoj gjithkënd të gjejë një vrasje te paraportuar, apo një fakt të raportuar mashtrim. 2015-a është vit rekord historik që nga 1991-shi.

Fjala e plote e ministrit Tahiri
Kemi biseduar shpesh mbi masat që marrin e duhet të marrin institucionet në tërësi për të garantuar sigurinë e jetës, shëndetit e pronës. Ne shpesh kemi mbrojtur bindjen se përpjekja për ta bërë vendin më të sigurt nuk është kurrë një sipërmarrje ekskluzive e Policisë së Shtetit. Ashtu siç gjithmonë kemi theksuar se gabimisht drejtohet gishti tek Policia e Shtetit, sa herë ka një ngjarje që cenon shëndetin, jetën apo biznesin e qytetarëve, veçanërisht në rastet kur përgjegjësia për ta bërë vendin më të sigurt është shumëdimensionale.

Ky ligj shërben si gur themeli për të garantuar përgjegjësinë solidare të e gjithë aktorëve në një shoqëri (qofshin institucione publike apo sipërmarrës privatë, biznese apo qytetarë), duke bashkuar forcat dhe energjitë për sigurinë e përbashkët. E nga ana tjetër shërben për të parandaluar faktorët nxitës  të informalitetit, paligjshmërisë dhe kriminalitetit.

Ju marr një shembull, para disa kohësh, në Fier në mos gaboj, një qytetari që punonte si kambist iu grabit një shumë lekësh në rrugë. Është shembulli ekzemplar për të kuptuar se si marrja e measave paraprake të sigurisë mund të shmangte një ngjarje kriminale. Do të thotë: nëse ky person do të bënte një transfertë bankare të parave nuk do të kishte ngjarje kriminale, por nëse merr 100 milion lekë me vete dhe shkon nga Tirana në Fier sigurisht që ekspozohet ndaj rrezikut.  Ky është një shembull për të treguar se si marrja e masave paraprake ndihmon në garantimin e sigurisë së jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve.

Në këtë kuadër, ky ligj shtron bazat për të garantuar më shumë siguri për qytetarët e bizneset, duke ndarë përgjegjësinë për ato masa paraprake sigurie që kërkohen nga qytetarët dhe biznesi respektivisht. Janë disa kategoritë e subjekteve që, mbi bazën e këtij ligji, brenda një afati të caktuar të arsyeshëm kohor, detyrohen të marrin masa shtesë sigurie. Këto kategori  bazohen
  • mbi temperaturën e kriminalitetit në vend;
  • mbi shpërndarjen gjeografike të tij;
  • mbi analizën e elementit kriminal që bën Policia e Shtetit;
  • mbi natyrën e vetë aktivitetit tregtar që ushtron një njësi biznesi;
  • mbi orarin kur zhvillojnë aktivitetin dhe një sërë kriteresh të tjera që përfshihen në mënyrë konkrete në ligj.
Supozojmë: detyrohen të marrin masa shtesë sigurie subjektet që e kanë selinë ose mjediset e punës apo e ushtrojnë aktivitetin tregtar në vende të ekspozuara ndaj rrezikut të shtuar për sigurinë, sipas vlerësimit të analizës që bën Policia e Shtetit:
  • subjektet që kanë mbi 50 punonjës apo frekuentues në të njëjtën kohë dhe që janë të ekspozuar ndaj rrezikut;
  • subjektet që ushtrojnë aktivitetin tregtar gjatë natës, nga ora 23:00 deri në 6:00 të mëngjesit.;
  • subjektet që merren me transportin e lëndëve të rrezikshme apo me transportin publik;
  • subjekte që kanë aktivitet ekonomik ose xhiro financiare që i kalon 10 milion lekë të reja;
  • subjekte që ushtrojnë veprimtarinë në lojërat e fatit;
  • dhe një sërë subjektesh të tjera, veçanërisht subjektet që administrojnë mjedise të hapura ose të mbyllura për fëmijë (si shkolla, kopshte apo këndë lojërash).
E gjithë kjo gamë subjektesh, në vlerësimin tonë, duhet të ketë më shumë vëmendje jo vetëm nga shteti por edhe nga sipërmarrësit apo vetë qytetarët, për të garantuar siguri apo masa paraprake sigurie në ushtrimin e aktivitetit të tyre. Projektligji përcakton llojet e masave të sigurisë.

Pavarësisht se në publik më shumë zhurmë ka bërë çështja e kamerave të sigurisë, ligji nuk trajton vetëm ato. Kamerat e sigurisë janë një ndër elementët për sigurinë e shtuar publike, por ligji ka edhe elemente të tjerë si kontraktimi i një policie private, aplikimi i mjeteve teknologjike për të garantuar më shumë siguri dhe një sërë elementesh të tjerë në mënyrë që puna e Policisë të jetë më e lehtë dhe policia, institucionet në tërësi, qytetarët dhe biznesi të bashkëpunojnë siç ndodh në çdo vend të botës, për t’i bërë qytetet, komunitetet dhe jetën e qytetarëve më të sigurt.

Ky ligj shton në themel elementët bazë për të pasur një jetë më të sigurt në vendin tonë. Unë ju thashë një rast, por ka plot ngjarje të tjera kriminale të cilat mund të ishin evituar në rast se gjithçka do të kishte funksionuar siç duhej e do ishin marrë masa paraprake.

Ky ligj shtron bazën për këto që sapo unë thashë. Sigurisht ka shumë për të bërë pasi ne besojmë se nuk mjafton vetëm Policia për ta bërë Shqipërinë më të sigurt. Për këtë ne besojmë se duhet kontributi qytetar, i shoqërisë, i biznesit. Policia është në punë dhe në kapacitetin maksimal të saj dhe është kjo arsyeja se pse në vitin 2015 ne kemi numrin më të vogël të vrasjeve në historinë e shtetit Shqiptar. Është kjo arsyeja se pse kemi numrin më të vogël të veprave penale, është kjo arsyeja që ne kemi rezultatet më të mira të Policisë së Shtetit. Por për të shkuar akoma më tutje duhet bashkëpunimi i të gjithë aktorëve: i qytetarit, autoriteteve vendore, institucioneve (qofshin të zgjedhura siç është pushteti vendor apo qëndrore) të cilat kanë kontribut themelor në garantimin e sigurisë për jetën dhe shëndetin e qytetarit dhe të pronës gjithashtu.

Unë mbetem i hapur për pyetje. Ky është një ligj i domosdoshëm për kushtet e reja të zhvillimit të shoqërisë. Është një projektligj i vonuar, pasi vendet e tjera kanë praktika të konsoliduara të ndarjes së përgjegjësisë për të garantuar siguri ndërmjet  individit dhe institucioneve. Në kuadër të luftës ndaj terrorizmit, masat e sigurisë janë themelore për ta bërë jetën më të sigurt dhe për të shtuar premisat për parandalimin e paligjshmërisë dhe kriminalitetit.

Ngjarje kriminale do ketë sa të ketë njerëz në këtë botë. E rëndësishme është që parandalimi nga njëra anë dhe drejtësia apo përmasa ndëshkuese në ngjarjet kriminale nga ana tjetër, të jenë aty dhe të funksionojnë siç duhet, për ta bërë jetën e qytetarit  dhe komunitetit më të sigurt.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb