'PD të mos bëjë hapa pas’, Berisha për deklaratat e Kim në Real Story: Demokratët nuk shantazhohen dot nga diplomatët që janë pjesë e mafies së Sorosit

Ish kryeministri Sali Berisha jo vetëm që e ka parë si mesazh deklaratën e Kim për demokratët e dhënë dje në Real Story, por si sulm e shantazh, çka vijoi me akuza ndaj ambasadores Kim. Me një gjuhë të ashpër, Berisha vijoi ta cilësonte kryediplomaten si pjesë e mafies dhe ‘së keqes’ në SHBA. Ai theksoi se demokaratët do të mbeten pro parimeve të SHBA-ve, por akuzoi shtetin ku është në listën e zezë për korrupsion se ka probleme me mafien e Xhorxh Sorosit.

“Në fakt, asgjë nuk i pengoi demokratët që të zgjedhin udhëheqjen e tyre. Asgjë nuk mashtroi dot demokratët, asnjë kërcënim nga askush nuk i bindi ata që tërhiqen nga rruga e rithemelimit të një opozite të vërtetë. Demokratët, e them këtu me siguri të plotë, janë dhe mbeten njerëz të idealeve demokratike dhe pro-perëndimore. Por ata kurrë nuk mund të shantazhohen, aq më tepër nga persona që u tregojnë barin me formulat staliniste të Enver Hoxhës.

Aq më tepër nga diplomatë që kanë dëmtuar shumë rëndë me qëndrimet e tyre, reputacionin e vendit të tyre te shqiptarët. Me këtë rast, demokratët dhe shqiptarët kanë kuptuar se Amerika është vendi i vlerave, parimeve dhe lirisë, por ka edhe ajo problemin e saj me mafien e George Soros, e cila nuk njeh parime, nuk njeh vlera dhe as interesa amerikane.

Kjo mafie, siç është një rrezik i vërtetë për demokracinë shqiptare, fatmirësisht sot, del gjithnjë e më e qartë se është një rrezik për demokracinë amerikane. Nuk kam ndërmend të komentoj më gjatë për një njeri, që ka dëmtuar me qëndrimet e saj, reputacionin e vendit të vet në Shqipëri. Dhe, për ta mbyllur, një njeri që u bë protagoniste kryesore e asaj që quhet ‘woke culture’. Kjo është kultura që neverisin më së shumti shqiptarët se çdo kulturë tjetër. E neverisin sepse kanë vuajtur më shumë se të tjerët. 45 vite kanë qenë falsifikim dhe mashtrim i historisë.

Kështu që shqiptarët e kapin në ajër, tendencën më të vogël të mashtrimit dhe falsifikimit. Mbyllni sytë dhe kujtoni se çfarë u bë në 100-vjetorin e marrëdhënieve mes vendeve tona, se si u përdor teknika e amputimit për t’i mbyllur ato në vitin 1991.” - tha Berisha.


Lajmi kryesor:

Kim tha në Report Tv se PD duhet të lërë pas e të shkuarën, i përgjigjet Berisha: Ajo është pjesë e mafies së Soros, demokratët nuk shantazhohen


G.MO/r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë