Sipas Alban Zenelit “Edi Rama ka menduar që edhe financat e tyre të paligjshme të mos cenohen, madje të legalizohen”, duke e konsideruar rastin në fjalë, të dypunësimit të Gazhelit si “rast unik në botë, që Kryeministri, ia beson pastrimin e parave, kryefinancierit të Partisë së Tij”.
Gent Gazheli është emëruar si Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave në Nëntor të vitit të kaluar, ndërkohë nga shkresa, e siguruar nga PD, që Partia Socialiste i dërgon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vihet re se Gazheli ka qënë Kryefinancier i kësaj partie të paktën gjer më 23 Janar të këtij viti. Vërtetësia e këtij dokumenti mbetet ende për tu verifikuar, ndërkohë që Deputeti Zeneli nuk i ka kursyer një sër akuzash të rënda ndaj Kryeministrit Rama.
Më poshtë deklarata e plotë për mediat e deputetit Alban Zeneli.
“Pasi i ka siguruar pushtet dhe imunitet klientelës së tij me të shkuar kriminale, duke i emëruar në postet kyçe të administratës e duke i bërë deri deputet, Edi Rama ka menduar që edhe financat e tyre të paligjshme të mos cenohen, madje të legalizohen.
Shqipëria mund të jetë rasti unik në botë, që Kryeministri, ia beson pastrimin e parave, kryefinancierit të Partisë së Tij.
Kryefinancieri, ai që merr të lashtat nga klientela e Ramës, që siguron donacionet e partisë, tagrambledhësi personal i Ramës, drejton luftën ndaj pastrimit të parave në vend.
Ky konflikt i pashembullt interesi, është edhe një shkelje e ligjit ditën për diell.
Sipas ligjit, një drejtor i lartë në administratën publike, nuk mund të ketë begraund politik, aq më pak të ketë funksione partiake.
Gent Gazheli është emëruar menjëherë pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës në krye të pastrimit të parave. Ndërkohë që vazhdon të jetë edhe kryefinancier i Partisë Socialiste, të paktën deri në janar të këtij viti, dhe kjo kuptohet nga kjo shkresë që luftëtari i parave të pista i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Partia Demokratike e denoncon këtë fakt skandaloz të kthimit të shtetit dhe administratës në gjymtyrë të interesave klienteliste të Edi Ramës, qeverisë dhe Partisë Socialiste.
Me këtë shkelje të ligjit, dhe me këtë konflikt interesi, është e sigurt se çdo donator i Edi Ramës, çdo klient i tij dhe i Partisë Socialiste, mund të flejë i qetë, pasi kryefinancieri do të kujdeset që paratë me burim kriminal të mos preken, madje të legalizohen.”
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)