TIRANE-Brukseli i ka bërë thirrje opozitës shqiptare që të mos djegë mandatet e deputetëve, pasi një vendim i tillë bllokon integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Zëdhënësja e KE, Maja Kocijancic u shpreh se vendi i opozitës është parlament dhe jo ta bojkotojë. Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Flackenstein thotë se nëse opozita djeg mandatet bëhet shumë herë më i vështirë qëllimi për hapjen e negociatave në qershor të këtij viti.

Ndërkohë që pasditen e sotme ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca dhe e ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Shqipëri, Leyla Moses-Ones zhvilluan një takim në Kryeministri me kreun e qeverisë, Edi Rama. SHBA dhe BE-ja po tentojnë që të gjejnë një zgjidhje mes palëve për të shmangur krizën institucionale. Pas protestës ditën e shtunë, ndërkombëtarët dënuan dhunën e shtruar, ndërsa opozita njoftoi vendimin për djegien e mandatave duke kërkuar zgjedhje të parakohshme përmes një qeverie tranzitore që të përgatisë procesin zgjedhor. Por, kryeministri Edi Rama tha se nuk e çon ndërmend të dorëhiqet dhe se e vetmja pasojë që solli protesta ishte shkatërrimi i një vepre arti, kërpudhës në Kryeministri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:43
Flackenstein: Djegia e mandateve pengon çeljen e negociatave

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Flackenstein, ka komentuar vendimin e Partisë Demokratike për djegien e mandateve.  Ai sugjeron që forcat opozitare duhet të japin një alternativë si brenda ashtu edhe jashtë parlamentit (lexo ketu lajmin e plote).

Ora 19:39
Brukseli apel opozitës: Djegia e mandateve, kundër integrimit në BE

Zëdhënësja e KE, Maja Kocijancic shprehet se vendimi i opozitës shqiptare për të djegur mandatet është kundër interesit dhe përpjekjeve të vendit për integrimin në BE. “E drejta e qytetarëve për t’u angazhuar në demonstrata paqësore është një element thelbësor dhe një vlerë thelbësore e çdo demokracie të pjekur dhe duhet të garantohet.

Sidoqoftë, përdorimi i veprimeve të dhunshme dhe dëmtimi i pronës publike siç u pa të shtunën e kaluar në qendër të Tiranës, nuk janë të pranueshme. Parlamenti është baza e çdo demokracie europiane – është një vend ku debatet për reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të merren përpara, e jo të bojkotohen.

Thirrjet e disa anëtarëve të partive opozitare për të bojkotuar parlamentin dhe për deputetët që të heqin dorë nga mandati i tyre aktual janë kundërproduktive dhe shkojnë kundër përpjekjeve të vendit për zbatimin e reformave të kërkuara nga BE. Presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim tejkalimin e situatës aktuale politike”, theksoi Kocijancic për ATSH-në.