PD-ja e manipuluar, paunifikuar dhe parithemeluar

PD-ja e manipuluar, paunifikuar dhe parithemeluar

Berisha dhe Alibeaj

Është e vështirë të harrohet se si në janar 2022, kohë kur Partia Demokratike ende nuk e kishte caktuar përroin politik në të cilin do të merrte rrjedhë, deputeti demokrat, Edi Paloka, do të pranonte hapur – për hir të fitores në betejën për rrëzimin e kryetarit – se partia ku ai aderonte, kishte manipuluar proceset zgjedhore, për të sjellë Lulzim Bashën në krye të forcës së djathtë politike.

“Më vjen zor të shkoj dhe të përballem me demokratët pasi do më thonë, ti po na thua tani për Bashën, kur më parë na the të manipulonim votat për të?”.

Kështu do të deklaronte Paloka në janar, duke shtuar se këtë e kanë bërë të gjitha strukturat e PD-së, duke bërë edhe një mea culpa për situatën në të cilën partia ndodhet.

Mirëpo, kohët ndryshojnë dhe deputetët, bashkë me të, gjithashtu!

Sot Paloka është qartësisht i rreshtuar me grupimin e kryetarit aktual, Sali Berisha dhe madje, ishte edhe i ngarkuar i këtij fronti, për “unifikimin” e demokratëve.

Më 1 nëntor, u kuptua se frontet janë dy (në mos më shumë) dhe kandidatët në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, mund të jenë po aq.

Mbi çështjen, do të fliste edhe Berisha vetë.

“Grupi i Alibeajt u ftuan pa asnjë lloj paragjykimi të bashkohen dhe të paraqisnin kandidatura, por siç duket ato nuk duan as statutin, as primaret”, do të thoshte Berisha menjëherë pas disfatës së bisedimeve të brendshme.

Mirëpo, kundër primareve, ka qenë edhe vetë Paloka, duke argumentuar se si ato, në realitetin aktual të PD-së, mund të shkaktonin probleme dhe konflikte brenda forcës politike, të cilat edhe u vërtetuan tërësisht, me dështimin e negociatave brenda të djathtëve.

Mirëpo, ndër të tjera, ai do të saktësonte dy ditë përpara mbylljes së bisedimeve, se “tashmë po i mbron primaret, për shkak se nuk është ai që e zgjedh ose jo procesin”.

Grupin Parlamentar të PD-së gjithsesi, vijon ta drejtojë pala tjetër, ajo e Enkelejd Alibeajt.

Ky i fundit, tha se ndihej i keqardhur për dështimin e negociatave, për të cilat shtoi se nuk ishin “pa kushte”, pasi pati prevaluar interesi dhe kushti për njohjen e statutit të 11 dhjetorit (atij të Berishës).

Diçka të tillë edhe Gazment Bardhi e pranoi, negociatori nga grupi Alibeaj, i cili tha se “i vetmi qëllim i Berishës, është t’i njohin statutin”.

Kjo gjë, e pati minuar procesin.

Çminimi, mund të vinte edhe ditën e sotme, pasi ishte caktuar data për zhvillimin e procesit të PD-së në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Mirëpo seanca u shty për më 10 nëntor, duke i shtuar një javë agoni të djathtëve, mbi atë që mund të jetë vendimi më i rëndësishëm lidhur me qenien e tyre politike.

Krahas kësaj, deputetë të forcës politike, kanë versione nga më të ndryshmet për atë çfarë duhet bërë.

Ina Zhupa, dikur skeptike ndaj “grupit Berisha”, sot e mbron me zell kreun aktual të bluve.

Pas dështimit të negociatave, ajo tha se grupimi Berisha, ka qenë i hapur për të pranuar çdo mekanizëm që garanton votën e demokratëve, njëkohësisht edhe kandidatin më të mirë përfaqësues për ta në zgjedhje.

Deputeti Agron Gjekmarkaj ndërkaq, i cili është edhe vetë në ujëra të dyzuar, tha gjatë një interviste televizive se ka pasur kusht për njohjen e lidershipit të Berishës, për unifikimin e pandodhur të PD-së.

Megjithatë, ndarja, ka ardhur sipas tij për “çështje madhore” dhe jo për teka.

Mirëpo, ofertën për të pranuar statutin e 11 dhjetorit, nuk e vlerësoi pozitivisht, duke thënë se ishte oferta e vetme që u bë nga grupi Berisha.

Këtë gjë e ka pohuar edhe Alibeaj, duke shtuar se ka një mungesë të sinqeritetit nga pala e Berishës, e cila e ka godinën de facto, por vulën de jure ende jo, sepse pritet Gjykata.

Në gjithë këtë paradigme, kundërshtari i vërtetë politik, kryeministri Edi Rama, e ka nisur fushatën për vendoret me takime të njëpasnjëshme nga veriu në jug, duke i lënë demokratët jo vetëm të përçarë, por edhe mbrapa në agjendën politike, pasi ende po diskutohet zhvillimi i primareve, krahas një proteste të thirrur më 12 nëntor kundër Qeverisë.

Nën moton e “rithemelimit”, me kërkesëfaljen e “manipulimit” dhe paarritshmërinë e “unifikimit”, të djathtët (të njëjtët prej dekadash) ende enden për bashkim, të cilin mes vetes nuk e gjejnë, por me Partinë e Lirisë, të lehtë e patën – të paktën Berisha po!

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Or tej: 04/11/2022 14:31

    PD eshte e pjerdhur nga koka te kembet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Tiranë, përplasi me makinë policin e Patrullës që ishte në shërbim, arrestohet 21 vjeçari

Tiranë, përplasi me makinë policin e Patrullës që ishte në shërbim, arrestohet 21 vjeçari