SHKUP - Propozimet për ndryshimet ligjore në sferën e arsimit në Maqedoni dëmtojnë më së shumti arsimin shqip. Kështu vlerëson grupi parlamentar i PDSH-së, i cili ka dorëzuar 32 amendamente për pakon e ligjeve nga sfera e arsimit.
Sipas KosovaPress, PDSH vlerëson se problemet në arsimin e lartë zgjidhen duke respektuar autonominë e universiteteve, e jo me politizim dhe me kontroll qeveritar.
Përmes amendamenteve ata propozojnë që në vend të studentëve, në provimin shtetëror të përfshihen bartësit e funksioneve publike duke filluar nga presidenti i shtetit, kryeministri, krerët e partive politike dhe të tjerët.
Ata po ashtu kërkojnë të mbahet llogari edhe për përdorimin e gjuhës shqipe si dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në Këshillin për Akreditim.
Bekim Fazliu, nga PDSH, ndër të tjera thotë se problemet në arsim zgjidhen vetëm me një shtet ligjor.
Por ndryshe nga opozita, shumica parlamentare vlerëson se ndryshimet e tilla ligjore do të ndikojnë në cilësinë e arsimit në përgjithësi.
Ramiz Merko, thotë se BDI dhe VMRO-DPMNE bashkërisht kanë dorëzuar 34 amendamente, prej të cilave 13 vetëm për arsimin e lartë.
Komisioni për arsim do të shqyrtojë nesër amendamentet e dorëzuara për pakon e ligjeve për arsim. Seanca e sotme u anulua me të vetmin qëllim që deputetëve t'u jepet edhe një mundësi shtesë për të dorëzuar sa më shumë amendamente për këto ndryshime ligjore./ATSH/