Kush do ta krijojë qeverinë në Prishtinë dhe kush do ta marrë pushtetin! Ata që bërtasin, të tjerët që presin, apo ata që merren vesh për pushtetin?
Në Mitrovicë u bë nami... dikush e hoqi një barrikadë natën dhe një azgan pushteti tha se "e kishte përmbushur premtimin"! Pak rëndësi ka që pastaj i ndërroi llafet, e rëndësishme që qoftë edhe për pak minuta, ai arriti t’i mbajë medaljet. Nëse për kurrgjë tjetër, për qejf të vetin.
Në kryeqytetin shqiptar të këtyre ditëve, në Lazarat, policia i kishte vënë flakën fushave që të kujtonin tokën e djegur nga barbarët e drogës...
Shkollarët banditë të Kosovës, u tha të ishin shndërruar në kriminelë kibernetik dhe t'ia kishin hedhur testit të maturës, sepse ndryshe do të ishin si "matrullanat" e sa viteve me radhë që ngelnin aty, në klasë...
Në Elbasan dikush kishte kërkuar "drejtësi linguistike" për dialektin e dergjur, qe dyzet e sa vjet, tëgegënishtes, ndërkohë që qindra-mijëra shqiptarë akoma vazhdojnë të mos e kuptojnë kontekstin kulturor e ideologjik të mënjanimit të një dialekti, sa gjysma e gjuhës!
Por pavarësisht shkapërderdhjes në copa të shqipes, në gegënishte apo në labçe, në zhargon apo në normë, zhurmës së ndershme a të pandershme rreth gjuhës, shqiptarët më shumë se të tjerët, kanë nisur të përplasen "në jetën virtuale" të internetit... Javën që shkoi u pa se si rrjetet sociale, e më i famshmi prej tyre “Facebook”-u, mund të shërbejnë për të shpërfaqur hipokrizinë dhe kulturën e munguar të një komuniteti, siç janë maturantët!
Apo ndoshta kjo edhe nuk është kultura e munguar e një komuniteti, por është mënyra e të funksionuarit të tij, sa me ndihmën e prindërve, sa me të pedagogëve apo të pushtetarëve komunalë e të hakerëve!
“Lazarati thërret moj motër, mos më lër vetëm se të kam motër”, ky qe margaritari i barbarëve kibernetik në luftën e pashpallur virtuale të hipokritëve që bubërrojnë në faqen virtuale.
Për çudi java që po ikën, më shumë se një javë, një muaj ose një vit më parë, e ka rikthyer bindshëm kulturën e "peçurkave" të një Bahtirit në Mitrovicë dhe artin despotik të shefave në Prishtinë. Ta kalosh a të mos e kalosh pragun!
Ishte në filozofinë, në mentalitetin dhe në kulturën e shqiptarëve, që ta mbrojnë pragun me çdo kusht, edhe me kry. S’ka rëndësi nëse ai është pragu i shpisë, i pushtetit apo i kanabisit. Lufta për pragun sot është gjithçka. Po thonë se kjo qenka e sanksionuar edhe në Kushtetutë. Veç barrikadat nuk qenkan aty dhe me to mund të luajnë të gjithë, si të duan!
Në botën që për ne duket e përtejme, sepse siç duket vështirë të mbërrijmë për të gjallë të rrojmë në një botë si ajo, mund të mrekullohesh me 1001 bukuritë e saj, ndërkaq në vendin e vogël, pragu i pushtetit, "peçurkat" dhe kanabisi janë diversiteti socio-kulturor, politik e shtetëror.
Në këtë vend as të habitesh më nuk mbërrin. Çdo gjë duket e mundshme, ndoshta pse edhe gjërat më të pamundshme, në kuptimin më negativ të tyre, po na bëhen reale.
Në dy taboret e ndara sot, që shfrytëzojnë kapitalin e njëjtë historik, kapitalin e njëjtë gjuhësor, kapitalin e njëjtë kulturor dhe frymën e kësaj kulture, kur bie fjala te pafytyrësitë, bëhen identik. Këto dy fronte, qofshin shumicë a pakicë që luftojnë, ndonjëherë edhe me mish e me thonj, kur flitet për identitetin politik, bëhen si dy pika uji.
Frontet politike sot, këndej e andej kufirit kanë takatin e njëjtë sa herë që u duhemi. Kanë sinqeritetin e njëjtë sa herë që na flasin për “të vërtetën”. Kanë takat vetëm për veten, por jo edhe për rregullin, edukimin dhe mirëqenien e njerëzve, të cilëve u bien në këmbë derisa të marrin votën. Storia merr fund me kaq. Tung për katër vjet!