STRASBURG- Parlamenti Europian i mbledhur në Strasburg të Francës votoi thuajse në mënyrë unanime në favor të heqjes së tarifave roaming për telefonat celularë. Legjislacioni i aprovuar do të heqë gradualisht tarifat roaming nga 28 vendet e BE-së, deri në muajin dhjetor të vitit 2015.

Heqja e tarifave roaming ka qenë një nga çështjet kryesore përgjatë tre viteve të fundit, e cila çoi dhe në përplasjen me industritë e fuqishme të telekomunikacionit.

Analistët e sektorit vlerësojnë se të ardhurat e këtyre industrive do të bien me rreth 5%, megjithëse Komisioni argumenton se ky ndryshim do të bëjë që konsumatorët të përdorin me shumë telefonat celularë, pra situata do të balancohet sërish.

Pas votimit të ditës së sotme të parlamentit Europian, legjislacioni do të kthehet në ligj pasi të aprovohet nga Këshilli i Europës, i cili përfaqëson vendet anëtare të BE. Vendimi pritet të merret në muajin tetor të këtij viti.

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)