Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, ka uruar për detyrën e re Marinela Priftin, e emëruar zv.ministre në këtë ministri krah Lira Pipës dhe Endrit Hoxhës.
Gonxhja ka renditur formimin arsimor të Priftit, e cila studimet e larta i ka ndjekur në Fakultetin e Gjuhësve të Huaja pranë Universitetit të Tiranës. Marinela Prifti gjithashtu ka ushtruar detyrën e Këshilltarit të Ministrit pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit ndërsa sot është pedagoge pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe doktorante në Universitetin e Tiranës.
“Marinela Prifti, nga sot Zv. Ministre e re në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, do të jetë një vlerë e shtuar në drejtim, krahas dy Zv. Ministrave të rikonfirmuar, Lira Pipa dhe Endrit Hoxha, në kuadrin e ristrukturimit të institucionit. Marinela ka përfunduar Masterin Shkencor në Mësimdhënien e Gjuhës Italiane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, Masterin për Përkthim dhe Interpretim në Universitetin e Strasburgut, si dhe Masterin Shkencor në Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare të BE-së në Universitetin e Tiranës. Në vijim, ka ndjekur një program specializimi në fushën e gjuhësisë në Universitetin Françeskan të Ohio-s, si dhe specializime të ndryshme në Institutin e Kërkimeve Shkencore të Kombeve të Bashkuara në fushën e diplomacisë dhe ka kryer një Program Ekzekutiv për Komunikim pranë Harvard Kennedy School.
Marinela ka qënë drejtoreshë për Ballkanin e Festivalit të Filmit Giffoni në Itali, ndërsa në kuadër të formimit akademik, ka marrë pjesë në konferenca dhe kongrese të ndryshme shkencore. Gjithashtu ka ushtruar detyrën e Këshilltarit të Ministrit pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Aktualisht është pedagoge pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe doktorante në Universitetin e Tiranës.
E mirëpresim duke i uruar sukses!” shkruan Blendi Gonxhja.
Komente








