Rastet e ngacmimeve ndaj fëmijëve, të konsideruara deri tani në Kodin Penal si “vepra të turpshme me të mitur”, duket se nuk janë të pakta në vendin tonë. Janë me dhjetëra raste në burgjet shqiptare, që vuajnë dënimet për akuzën e mësipërme.

“Në burgjet shqiptare, janë 51 të dënuar për ‘vepra të turpshme me të mitur’”, kanë konfirmuar për gazetën “Shqiptarja.com”, burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Sipas tyre, ata janë nga i gjithë vendi dhe të shpërndarë thuajse në të gjitha vendet e vuajtjes së dënimit, në Shqipëri.

Por, kjo shifër tregon vetëm ata që janë në burg, pa llogaritur të tjerë që e kanë kryer dënimit, apo liruar nga amnistia. Gjithashtu, në shifrën prej 51 personash, nuk përfshihen Prenjasi dhe tri rastet e kohëve të fundit në Tiranë, pasi për ata s’ka ende vendim të formës së prerë.

Shifrat tregojnë, se rastet duket, se nuk janë të pakta, situatë kjo që arriti kulmin ditët e fundit, kur u zbulua rasti i Ardian Prenjasit, 45 vjeç, i cili mbajti me dhunë në banesën e tij, fëmijën 10-vjeçar në Laprakë.

Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)