Çdo vit nga data 20 deri në datën 25 gusht, Mali i Tomorrit shndërrohet ne vendin shpirtëror për mijëra pelegrinë. Festa e shenjtë e Bektashinjve mbledh çdo vit në Teqenë e Kulmakut mijëra pelegrinë nga e gjithë Shqipëria, diaspora dhe bota. Në vitet e kaluara kasapët thernin qingjat dhe të brendshmet i hidhnin ku të mundeshin duke u bërë edhe rrezik për përhapjen e ndonjë sëmundje, ndërsa këtë vit ministria deklaron se janë marrë masat.

Pak ditë nga nisja e pelegrinazhit është miratuar plani i masave për mbarëvajtjen në malin e Tomorrit. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u kërkoi institucioneve vendore shërbim të shtuar, ditë të qeta dhe të sigurta për çdo pelegrin. Ministri Klosi theksoi se ky plan i ri masash synon përfshirjen e të treja bashkive Berat, Çorovodë dhe Poliçan që do të ndihmojnë me infrastrukturën e nevojshme për mbarëvajtjen dhe mirë administrimin e festës.

Data 22 gusht apo e gjithe java e muajit gusht kur Berati pushtohet nga pelegrinë në malin e Tomorrit do të jetë një javë e shënuar për këtë qark pasi kemi marrë për herë të parë një plan të ri masash të cilat do të sigurojnë që të treja bashkitë të përfshihen ; Bashka Berat, Corovodë dhe Polican jo vetëm të ndihmojnë me infrastrukturën e nevojshme për realizmin me sukses të kësaj feste por njëkohësisht do të jetë një ditë kur i gjithë qarku i Beratit të tregojë më të mirën e tij, mikpritjen dhe po ashtu pastërtinë dhe dëshirën që kjo festë të jetë shumë mirëadministruar.

Së bashku me forcat e rendit ne po ndërmarrim edhe një plan sesi ditët e pelegrinazhit të jenë ditë të qeta, të mbrojtura dhe të sigurta. Po ashtu nga institucionet e tjera në qarkun e Beratit si nga inspektorati i higjenës dhe i mjedisit dhe nga drejtoria rajonale e shëndetësisë do të sigurohet që ditët të jenë të mbrojtura të pastra, dhe me shërbim të shtuar të shëndetësisë për të qenë ditë të sigurta. Të shndërrojmë ditët e festës në ditë shumë bujare për të gjithë qarkun e Beratit dhe për ata që do të vizitojnë Beratin  në ato ditë” tha ministri Klosi.

Pelegrinazhi në malin e Tomorrit është një nga ngjarjet më të shënuara për qarkun e Beratit. Cdo vit mijëra pelegrinë vizitojnë Kulmakun për të kryer ritualin. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit njofton se ditët e pelegrinazhit do të shërbejnë gjithashtu për të mbledhur  firmat për mbrojtjen e Malit të Tomorrit, Park Kombëtar. Peticioni ka nisur prej ditës së parë të protestës së banorëve ndaj vendimit të gjykatës që u jepte të drejtë guroreve që të vazhdonin aktivitetin e tyre dhe po firmoset nga qindra  banorë por edhe turistë të huaj që vizitojnë Beratin.